
Rreth pozitës së nënkryetarit të Prishtinës është përfolur emri i Dardan Sejdiut.
Sejdiu, i cili ishte kritik i madh i ish-liderëve të PDK-së, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, ishte afruar më pas me një grup brenda PDK-së së Prishtinës, të cilin e kishte përkrahur edhe në zgjedhjet e fundit lokale, por që nuk i ishte bashkuar zyrtarisht këtij subjekti politik.
Megjithatë, tani pas hyrjes në bashkëqeverisje të PDK-së me LDK-në në kryeqytet, lidershipi i ri i PDK-së së Prishtinës duke i shpërfillur të rinjtë e Prishtinës që me vite të tëra kanë dhënë kontribut si pjesë e PDK-së, mësohet se po këmbëngulin që Dardan Sejdiu të bëhet nënkryetar i Prishtinës si i propozuar i tyre.
Në lidhje me këtë, në një prononcim për Gazeten Insajderi ka folur Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bujar Cakolli
“Sa i përket nominimit te nënkryetarit te komunës se Prishtinës, për Dardan Sejdiun deri tash nuk ka kurgjo zyrtare ka vetëm fjale ka indikacione që ka njerëz brenda PDK-së që kanë dëshirë me zgjedh Dardan Sejdiun po unë personalisht me një pjese te degës se partisë jemi kundër”, u shpreh Cakolli.
Ai tregon arsyet se pse janë kundër Dardan Sejdiut për nënkryetar të Prishtinës.
“Për arsyeje se Dardan Sejdiu nuk është pjese e PDK-së, jo ma larg se para tri katër vite unë kam bërë kallxim penal ne Prokurorinë Speciale edhe kundër Shpend Ahmetit dhe Dardan Sejdiut për keqpërdorim dhe abuzim te pushtetit qofte me punësime qoftë me ndërtime pa leje, mendoj qe është skandaloze jo vetëm emërimi po dhe nese i ka shku mendja dikujt me emëru Dardan Sejdiun në këtë pozite është skandaloze dhe është e papranueshme” u shpreh Cakolli për Insajderin.
Gazeta Insajderi ka kontaktur Dardan Sejdiun, i cili tha se deri tani nuk ka marur asnjë ftesë.