![](https://a3748898.delivery.rocketcdn.me/wp-content/themes/insajderi-org/logo/menu-insajderi.png)
Gazeta Insajderi ka siguruar informacione nga hetimi kundër Ambasadorit Martin Berishaj, pasi që ai u përfshi në një aferë të re me vota. Burime nga Prokuroria e KQZ-ja i kanë thënë Insajderit se ai mori fletëvotime të zbrazëta
Gazeta Insajderi
Prokuroria Themelore në Prishtinë dje ka iniciuar një hetim ku në qendër është ish-këshilltari i firmës “GEN-Beograd” me afro 50 mijë euro pagesë mujore, aktualisht Ambasador i Kosovës në Kroaci i dërguar nga Qeveria e Kryeministrit Albin Kurti.
Ai tash është në qendër të një hetimi për procesin e votimit të zgjedhjeve të së dielës, 9 shkurt 2025.
Gazeta Insajderi merr vesh që Ambasadori Berishaj, një njeri fortë i afërt me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti, i përshkruar nga mediat sllovene si “mushka e parave” për interferim në zgjedhje, ditën kritike kur mori informacion nga Posta që duhet të merrte materiale sensitive, pa praninë e vëzhguesve, shkoi personalisht aty.
Ai, sipas burimeve brenda Prokurorisë, ka marrë fletëvotime të zbrazëta, dhe pa praninë e vëzhguesve, siç e kërkojnë procedurat e brendshme të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), i ka transportuar ato i vetëm.
Prokuroria tash është në fazën e përcaktimit të qëllimit kriminal të këtij veprimi, pasi që përtej çdo dyshimi është konfirmuar që e ka bërë këtë veprim, dhe që i njëjti bie ndesh me rregullat e KQZ-së.
Burime të Insajderit brenda KQZ-së kanë thënë që ky institucion është duke pritur edhe raporte e informacione shtesë për këtë aferë të re të Martin Berishajt, derisa ata druajnë që nëse këto fletëvotime bien në duar të ndonjë partie politike, vendi rrezikon që të futet në procesin e manipulimit të votave i njohur si “treni bullgar”.
“Treni bullgar”, si fenomen i manipulimit të zgjedhjeve është përdorë për herë të parë në Bullgari në vitin 2007.
Votuesit jashtë qendrës së votimit marrin një fletëvotim të plotësuar, të cilin e fusin në kutinë e votimit. Ndërsa fletëvotimin të cilin e marrin në mënyrë të rregullt e nxjerrin jashtë qendrës së votimit. I njëjti fletëvotim plotësohet dhe përdorët nga një votues tjetër.
Në Kosovë, ka pasur dyshime serioze që ky fenomen është përdorur në një sërë rastesh./GazetaInsajderi.