Lavdim Krasniqi, i akuzuar për ushtrim ndikimi në rastin penal ndaj një të dënuari për vrasje, është takuar me Hajzer Salihun, ish-drejtorin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, disa ditë pas vendimit të KPMShCK-së për rikthimin e tij në punë.
Salihu është një jurist, ish-kryesues dhe anëtar i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil. Ka ushtruar funksion në këshill për një periudhë gjashtë vjeçare: nga 2013 deri më 2019.- Advertisement –
Lavdim Krasniqi, drejtor i Sekretariatit të KPK-së, i rikthyer në punë me vendim të KPMShCK-së të nxjerrë më 1 dhjetor, dhe Hajzer Salihu janë parë në shoqërinë e njëri-tjetrit në kafenenë “Mamounia Bar” në kryeqytet më 7 dhjetor, raporton Paparaci.
Hajzer Salihu, ish-anëtar i KPMShCK-së (2013-2019)
Takimi ndërmjet Krasniqit dhe Salihut ka ndodhur rreth orës 10:00. Kanë qenë të shoqëruar edhe nga Ramë Gashi, avokati i të akuzuarit Krasniqi dhe Haxhi Dërguti, ish-kryeprokuror i Prokurorisë së Apelit.
Dërguti, e konfirmoi takimin mes tyre.
Ai, tha të hënën për Paparacin se është takuar “rastësisht” me Lavdim Krasniqin, Ramë Gashin dhe Hajzer Sahitin në “Mamounia Bar”.
“Kam qëndruar diku rreth 10 minuta me ta. Kurrgjë rreth kësaj pune nuk kemi biseduar”, tha Dërguti, i pyetur në lidhje me vendimin e KPMShCK-së në favor të Lavdim Krasniqit.
Gjashtë ditë para takimit mes katër personaliteteve, KPMShCK-ja vendosi për rikthimin e Lavdim Krasniqit në pozitën e drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
Krasniqi, i përfshirë në një skandal të madh korruptiv, u shkarkua nga puna më 14 gusht të vitit 2021 me vendim të KPK-së.
Por, KPMShCK-ja e anuloi këtë vendim të Këshillit Prokurorial. E shpalli të aprovuar ankesën e Krasniqit kundër shkarkimit të tij nga puna.
Vendimi, siç raportoi sot Paparaci, obligoi KPK-në që të rishikojë përmes një procesi të ri marrëdhënien e punës së institucionit prokurorial me Krasniqit. Obligoi kthimin e çështjes në rivendosje.
“Aprovohet si e bazuar ankesa e datës 07.10.2021 e parashtruar nga ankuesi Lavdim Krasniqi”, thuhet në pikën e parë të vendimit të KPMShCK-së, të cilën e ka siguruar mediumi online Paparaci.
Krasniqi, akuzohej nga Prokuroria e Shtetit se kishte marrë shuma të mëdha të parave dhe një veturë nga i burgosuri për vrasje, Bashkim Mulolli, në këmbim të ushtrimit të ndikimit të tij në procedurën penale ndaj të dënuarit.
Megjithatë, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil gjeti se shkarkimi i Krasniqit nga pozita e drejtorit të KPK-së ishte i pabazuar. Kësisoj, vendosi për shfuqizimin e vendimit të KPK-së.
“Shfuqizohet vendimi me numër protokolli 1301/2021 i datës 14.09.2021 i Këshillit Prokurorial të Kosovës për ndërprerjen e marrëdhënies së punës së ankuesit në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe çështja kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje tek organi i njëjtë”, thuhet në pikën 2 të vendimit të KMShCK-së.
Këshilli, obligoi KPK-në që të zbatojë vendimin për rikthimin në punë të të shkarkuarit Lavdim Krasniqi dhe të rihetohet rasti ndaj të implikuarit në aferën korruptive të cilën e publikoi mediumi Paparaci tri javë më parë.
Lavdim Krasniqi, akuzohet nga Prokuroria e Shtetit për disa vepra të rënda penale. Aktakuza e tij është ngritur mbi një provë kryesore: një videoincizim ligjor të kryer nga Bashkim Mulolli, i shpallur dëshmitar bashkëpunues i Prokurorisë.
Pajisjet e incizimit ishin të Policisë së Kosovës.
Paparaci, publikoi ekskluzivisht videoincizimin e takimit të Lavdim Krasniqit me të dënuarin, Bashkim Mulolli.
Aty dëshmohet se si Krasniqi, ka ndërhyrë për ta ndihmuar këtë dënuar. Flitet për paratë që ka marrë dhe një veturë për asistenten, Marigona Krasniqi si dhe paratë për shkollimin e fëmijëve të Krasniqit.
Këto para, sipas Mulollit ia kishte dhënë shoferit të Lavdim Krasniqit, Ardian Krasniqi.
Në video-incizim, Lavdim Krasniqi e mohon t’i ketë marrë ato para. Por, e pohon ndihmën që i ka dhënë të dënuarit, Mulolli.
Siç raportoi mediumi, disa veprime të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me këtë rast, ishin cilësuar si ndërhyrje në aferën korruptive të Lavdim Krasniqit. Kështu kishte vlerësuar Prokuroria e Shtetit.