Sot në Institutin Albanologjik-Prishtinë u themelua Këndi i Librit Arbëresh, një kënd mjaft i veçantë dhe i rëndësishëm në bibliotekën e institucionit tonë kërkimor-shkencor. Ky kënd me rëndësi të çmueshme kulturore do t’i mbledhë në një vend librat e shkruar nga arbëreshët, për arbëreshët dhe rreth arbëreshëve.
Themelimit të këtij këndi i parapriu vizita dhe nderimi që na bën, z. Rexhep Rifati dhe z. Musa Jupolli, veprimtarë, krijues dhe publicistë të shquar shqiptarë, pjesë e mërgatës sonë të mirë, thuhet në njoftim.
“Ata na dhuruan një kontingjent veprash të shkruar nga autorët arbëreshë dhe studiuesit që i kanë trajtuar arbëreshët. Z. Rexhep Rifati dhe z. Musa Jupolli dhanë një kontribut të çmueshëm, duke u bërë ndihmetarët parësorë në krijimin e këndit të sipërpërmendur”.
Z. Rifati dhe z. Jupolli u pritën nga u.d. i drejtorit të Institutit Albanologjik, z. Naim Berisha dhe sekretari shkencor, z. Adil Olluri, të cilët i njoftuan mysafirët për punët dhe botimet e institucionit tonë.
Librat e sjella në bibliotekën tonë i morëm si një dhuratë të bukur dhe të vlefshme fundviti, andaj i falënderojmë përzemërsisht zotërinjtë në fjalë.