Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë aktvendim me të cilin ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave të paraqitura nga mbrojtja e Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq në rastin “Banjska”, të cilat i kishin paraqitur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale e ngritur më 11 shtator 2024, ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq, raporton “Betimi për Drejtësi”.
LEXO EDHE:
Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.
Në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm. Më pas, mbrojtja ka shfrytëzuar afatin prej 30 ditësh për kundërshtim të provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.
Mbrojtësi i të pandehurit Toliq, avokati Millosh Deleviq, më 5 nëntor 2024 ka ushtruar kundërshtimin, ku mes tjerash ka theksuar se në këtë fazë të procedurës penale, ekzistojnë kushtet që aktakuza të hudhet në tërësi, sepse nuk ka prova që vërtetojnë dyshimin e bazuar se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale.
Sipas avokatit Deleviq, PSRK nuk ka specifikuar asnjë veprim se si është kryer vepra penale.
“…pra nuk kuptohet se i mbrojturi im a ka qenë udhëheqës, ekzekutor, ndihmës apo nxitës edhe pse në rastin konkret kemi pasur hetim për një vit dhe janë dëgjuar dëshmitar të shumtë një përgjigje e tillë nuk ka ndodhur”, citohet të ketë thënë Deleviq në kundërshtimin e tij.
Aty thuhet se Prokuroria nuk ka cekur përgjegjësitë e pjesëmarrësve.
“I vetmi fakt në bazë të cilit PSRK e ndërlidhë të mbrojturin tim me veprat penale për të cilat akuzohet është se ai ka qenë me uniformë të veshur dhe se është plagosur rëndë në ditën kritike ndërsa roli i tij mbetet totalisht i panjohur për gjykatën, mbrojtjen dhe publikun. Andaj, kjo aktakuzë nuk i plotëson kushtet ligjore për tu shqyrtuar në shqyrtimin gjyqësor”, citohet të ketë thënë Deleviq në kundërshtimin e tij.
Andaj, avokati Deleviq ka kërkuar që aktakuza ndaj Vladimir Toliq të hudhet poshtë si e pabazuar ose e njëjta t’i kthehet PSRK-së për ndryshim ose të caktohet dhe të mbahet seanca për shqyrtimin dhe vlerësimin e kësaj kërkese.
Kurse, mbrojtësi i të pandehurit Spasojeviq, avokati Ljubomir Pantoviq, në kundërshtimin e ushtruar më 4 nëntor 2024, mes tjerash ka theksuar se nuk ka dyshim të bazuar mirë në aktakuzën ndaj të mbrojturit të tij dhe të akuzuarve tjerë. Sipas tij, s’ka prova të pranueshme që Spasojeviq ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.
Aty thuhet se nuk saktësohen veprimet e të akuzuarit, po ashtu kontestohet edhe kualifikimi juridik i veprave penale.
“Mbrojtja, ka shtuar se e vetmja gjë që mund të lidhte të mbrojturin tim me veprimet e përshkruara në këtë pjesë të aktakuzës së PSRK është se ai është arrestuar në vendin e ngjarjes në ditën kritike por kjo nuk mjafton për të mbështetur një dyshim të bazuar mirë se ai ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet dhe se ajo që mungon në këtë rast është përshkrimi faktik i veprimeve që ka bërë konkretisht ky i pandehur”, citohet të ketë deklaruar Pantoviq në kundërshtimin e tij.
Avokati Pantoviq në kundërshtimin e tij pretendon se aktakuza ka të meta dhe është e mangët. Andaj, ka kërkuar që aktakuza ndaj të mbrojturit të tij të hudhet poshtë apo të caktohet dhe mbahet seanca për shqyrtimin dhe vlerësimin e kësaj kërkese.
Në anën tjetër, mbrojtësja e të akuzuarit Maksimoviq, avokatja Jovana Filipoviq, në kërkesën për hudhje të aktakuzës të ushtruar më 4 nëntor 2024, ndër të tjera ka theksuar se qëndrimet e Prokurorisë në aktakuzën ndaj të mbrojturit të saj janë të pabazuara dhe të mbështetura në supozime dhe se me asnjë provë nuk mbështetet dyshimi i bazuar se Maksimoviq ka kryer veprat penale që i vihen në barrë.
“PSRK në asnjë rast nuk ka vërtetuar se i mbrojturi im ka pasur lidhje me ngjarjen e ndodhur në Banjska me datë 24 Shtator 2023, vetëm se banon në të njëjtin fshat dhe se asnjë provë tjetër nuk ka të bëj me të dyshuarin konkret”, citohet të ketë deklaruar Jovanoviq në kërkesë.
Aty thuhet se PSRK ka ngritur aktakuzën pa gjendje faktike të vërtetuar më parë dhe në kundërshtim me dispozitat e KPPRK-së
“…aktakuza bazohet vetëm dhe ekskluzivisht në supozimet dhe deklaratat e përgjithshme të dëshmitarëve të cilat të gjitha janë në kundërshtim me provat duke pasur parasysh se në bazë të materialit dëshmues është konstatuar se ADN-ja e të mbrojturit tim nuk përputhet me asnjërën nga sendet, po ashtu është vërtetuar se ai nuk ka qëlluar në ditën kritike dhe as nuk ka qenë i ekspozuar ndaj grimcave të barutit”, citohet të thuhet në kërkesë, me të cilën Filipoviq ka kërkuar të hudhet aktakuza e PSRK-së.
Në anën tjetër, prokurori i shtetit në përgjigjen ndaj kërkesave të mbrojtjes, të ushtruar më 19 nëntor 2024, ka theksuar se pretendimet e mbrojtësve janë të pabazuara dhe nuk përkojnë me realitetin faktik.
“…mbrojtja duhet të ketë parasysh se në këtë fazë të procedurës provat vlerësohen në dy aspekte paralele: pranueshmëria e tyre dhe provueshmëria e tyre vetëm sa i përket ekzistimit të dyshimit të bazuar mirë, që do të thotë se për këtë të dytën kërkohet vërtetimi i faktit se a bindet një vëzhgues objektiv se aktakuza mbështetet në prova për rrethanat që pretendohet se është kryer vepra penale, nga të cilat prova rezulton dyshimi i bazuar mirë. Në të kundërtën në këtë fazë të procedurës nuk mund të ketë vlerësim të provave sa i përket rrethanave për aspektin e fajësisë”, citohet të thuhet në përgjigjen e prokurorit.
Më tej, thuhet se është theksuar që provat janë marrë në mënyrë të ligjshme nga Prokuroria dhe Policia. Po ashtu, theksohet se aktakuza mbështetet në prova për rrethanat që pretendohet se janë kryer veprat penale.
“Provat e propozuara në aktakuzë të listuara si më lartë qoftë materiale apo ato personale vërtetojne fillet e organizimit të strukturuara (pjesë e të cilit janë edhe tre të pandehurit) përgatitjet paraprake, sulmin në ditën kritike”, citohet se ka theksuar prokurori në përgjigjen e tij.
Prokurori në përgjigjen ndaj kundërshtimeve të mbrojtësve, po ashtu ka theksuar se gjithashtu nuk plotësohen kushtet për hudhjen e aktakuzës në kuptim të nenit 248 të KPPRK-së. Kështu, prokurori i shtetit kërkoi që kërkesat e mbrojtësve të refuzohen si të pabazuara.
Lidhur më këto, Gjykata ka vërtetuar se provat në të cilat bazohet aktakuza janë siguruar në mënyrë të ligjshme dhe se nuk ka ndonjë provë e cila mund të jetë e papranueshme apo e cila është marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Penale.
Po ashtu, në vendimin e Themelores thuhet që edhe pse në shkresat e mbrojtjes janë paraqitur kundërshtime të përgjithshme në kuptim të provave, nuk është paraqitur ndonjë kundërshtim konkret, për ndonjë provë konkrete që është propozuar në aktakuzë që e njëjta të shpallet si provë e papranueshme, duke dhënë arsye të veçanta që të përjashtohet si provë.
Gjithashtu, Gjykata ka ardhur në përfundim se provat janë të pranueshme dhe të njëjtat mund të administrohet në shqyrtim gjyqësor dhe nuk ka ndonjë element që provat e cekura në aktakuzë do të cenonin të drejtat e të pandehurit të garantuara në Kushtetutë, duke konstatuar se nuk ka bazë ligjore që ndonjë provë të përjashtohet si e papranueshme.
Ndërsa, lidhur me pretendimet e mbrojtësve se Prokuroria nuk ka argumentuar se cilat kanë qenë rolet e të pandehurve, gjegjësisht a kanë qenë ekzekutor, ndihmës apo nxitës të pandehurit në raport me të pandehurit e tjerë, sipas vlerësimit të Gjykatës, këto pretendime janë të pabazuara, pasi që në këtë fazë të procedurës nuk mund të shqyrtohen, ngase niveli i mbështetjes së aktakuzës me prova për këtë fazë të procedurës është dyshimi i bazuar mirë.
Në anën tjetër, sa i përket propozimit të avokatit Deleviq që aktakzua të kthehet për plotësim, Gjykata në vendimin e saj ka thënë që këto pretendime janë të pabazuara.
Sipas vlerësimit të Gjykatës, dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale që iu vihet në barrë është vërtetuar në bazë provave materiale të cilat Prokuroria i ka propozuar në aktakuzë.
“Gjykata me kujdes të veçantë ka analizuar pretendimet e mbrojtësve të pandehurve sa i përket kundërshtimit të provave dhe kërkesës për hedhje të aktakuzës dhe ka arritur tek përfundimi se prokuroria ka arritur ta mbështes dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohet”, thuhet në vendim.
Sipas Themelores, dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale që iu vihet në barrë vërtetohet me provat materiale dhe nga dëshmitë e dëshmitarëve.
“Lidhur me kërkesat për hedhje të aktakuzës gjykata konstaton se veprat penale për të cilat akuzohen të pandehurit përben vepër penale, pra është e sanksionuar me ligj si veprim i kundërligjshëm. Po ashtu ekziston dyshim i bazuar se në veprimet e të pandehurve manifestohen elementet e veprave penale si në aktakuzë“, thuhet në vendim.
Gjykata po ashtu konstaton se nuk ekzistojnë rrethana të cilat e përjashtojnë përgjegjësinë penale të të pandehurve.
Gjykata në këtë fazë të procedurës konsideron se aktakuza e Prokurorisë është hartuar konform dispozitës së nenit 235 të KPPRK-së dhe në bazë të përshkrimit faktik të saj dhe thënieve të cekura në akuzë dhe provave të bashkëngjitura akuzës, përmbushet edhe kriteri i dyshimit të bazuar mirë.
“Gjykata pasi ka konstatuar se provat janë marrë në mënyrë ligjore nga organet e ndjekjes, konstaton se aktakuza e prokurorisë i plotëson të gjitha kriteret e kërkuara sipas ligjit dhe është e mjaftueshme për të kaluar në fazën e shqyrtimit gjyqësor, ku me këtë rast gjykata është treguar e kujdesshme që mos të shtjelloj secilën provë veç e veç dhe në lidhmëni me njëra tjetrën, për të respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë“, thuhet në vendim.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.
Kurse, kreu i këtij grupit terrorist të strukturuar, Milan Radoiçiq ngarkohet se nga viti 2017 e deri më 24 shtator 2023 ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, e këto para i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ku një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe tek personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.
45 të akuzuarit ngarkohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpërarja e parave”.