Kryeministrja britanike, Theresa May tha se do të krijojë një qeveri të re me ndihmën e unionistëve të Irlandës së Veriut me qëllim që të garantojë siguri politike dhe të udhëheqë Britaninë në bisedimet me Bashkimin Europian për të siguruar një marrëveshje të suksesshme për Brexitin.
May i kërkoi mbretëreshës Elisabetë leje për të krijuar një qeveri të re të premten pas dështimit të papritur në zgjedhje që bëri që partia e saj konservatore të humbasë shumicën në Parlament, vetëm 10 ditë para fillimit të bisedimeve mbi daljen e Britanisë nga blloku evropian.
“Do të krijoj tani një qeveri që të mundë të garantojë siguri dhe të udhëheqë Britaninë në këtë kohë kritike për vendin tonë. Kjo qeveri do ta udhëheqë vendin në bisedimet thelbësore për Brexitin, që nisin vetëm pas 10 ditësh dhe do të zbatojë vullnetin e britanikëve duke e nxjerrë vendin nga bashkimi evropian”.
“Do të punoj për të mbrojtur vendin dhe të bëjë ndryshimet që unë kam prezantuar pas sulmeve tronditëse në londër dhe mancester, duke goditur ideologjinë e ekstremizmit islamik dhe të gjithë ata që e mbështesin atë e duke i dhënë policisë dhe autoriteteve fuqitë që u duhen për ta mbajtur vendin të sigurt”, tha ajo.
Në dyert e rezidencës së saj zyrtare Downing Street, May tha se ajo mund të mbështetej tek Parlamenti dhe tek ndihma e miqve të saj në Partinë Unioniste Demokratike të Irlandës së Veriut, pasi konservatorët e saj dështuan të fitonin shumicën.
Unionistët demokratë, që mbështesin qëndrimin e Irlandës së Veriut pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, dhe kanë qëndrime konservatore ndaj çështjeve sociale, rritën numrin e vendeve të tyre në 10 në zgjedhjet e së enjtes.