Enes Ay është dërguar në ndalim për 48-orë dhe po dyshohet për veprën penale “lëndimi i rëndë trupor” për rastin e djeshëm në Prizren, ku përfundoi me fatalitet viktima Auron Thaçi.
Këto detaje për Insajderin i ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Prizren për Gazetën Insajderi.
Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Fitore Mehmeti, ka bërë të ditur se përbrenda afatit ligjor, ndaj Enes Ay do të parashtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
“Referuar kërkesës tuaj për informacione, Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ju njofton se lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari me inicialet E.A. (shtetas turk), i cili me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh. I njëjti, dyshohet se ka kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” nga neni 186, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 3 dhe paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Për të dyshuarin E.A., prokuroria brenda afatit ligjor, do të parashtroj kërkesë për caktim të masës së paraburgimit”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, interesimit të Insajderit nëse i dyshuari Ay ka pasur të kaluar kriminale, iu është përgjigjur duke thënë se “për shkak të ndjeshmërisë së rastit, nuk mund t’ju japim detaje tjera”.
Policia e Kosovës me anë të raportit ditor sot bëri të ditur për arrestimin e shtetasit turk, pa specifikuar verpën penale për të cilën dyshohet.
“Prizren / 06.07.2024 – 23:50. Në lidhje me rastin, më 07.07.2024 gjersa ishte në tretman mjekësor në QKUK, ka ndërruar jetë viktima mashkull Kosovar. Lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar mashkull shtetas i Turqisë”, bëri të ditur PK’ja.
Të dielën policia njoftoi për një person që është gjetur i shtrirë në rrugë, i sulmuar me thikë nga persona të paidentifikuar. Sipas policisë ata e kanë sulmuar, e kanë hedhur nga vetura në rrugë dhe më pas janë larguar.
Insajderi ka pyetur Prokurorinë Themelore në Prizren nëse ka të dyshuar të tjerë lidhur me rastin, mirëpo s’ka marrë përgjigje për këtë.
“LËNDIM I RËNDË TRUPOR- Lagja Bazhderhane, Prizren 06.07.2024 – 23:50. Viktima mashkull kosovar, është dërguar në spitalin e Prizrenit në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi që i njëjti është gjetur i shtrirë në rrugë i sulmuar me thikë (mjetë të mprehtë) nga persona ende të pa identifikuar të cilët pasi e kanë sulmuar, nga vetura e tyre e kanë hedhur në rrugë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhej në njoftimin e djeshëm të policisë.
Më pas, mbrëmë zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi konfirmoi që viktima ka vdekur në repart intensiv në QKUK. /Insajderi.org/