Një person që është therur me thikë mbrëmë në Deçan është në gjendje kritike. Ai po merr trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës në një prononcim për Insajderin ka konfirmuar një gjë të tillë, teksa ka shtuar se i dyshuari është në arrati.
“Viktima mashkull kosovar ka pësuar lëndime pasi që i njëjti dyshohet se është therë me një mjet të mprehtë-thikë nga i dyshuari kosovar, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Viktima pas tretmanit mjekësor në QMF-Deçan, është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor në QKUK. Lidhur me rastin është informuar e konsultuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin”, deklaroi Nikçi.
Insajderi nga burime të saja merr vesh se viktima nga therja me thikë është Ylli Musaj, teksa i dyshuari është me mbiemrin Haklaj nga fshati Irzniq i Deçanit.
Policia e Kosovës ka njoftuar për këtë rast në raportin ditor, ku bëri të ditur se viktima pas trajtimit në QMF’në e Deçanit u dërgua për trajtim në QKUK.
Pos tjerash, tha se i dyshuari u largua nga vendngjarja. /Insajderi.org/