"Ti vet i ke thanë babës për një sigurim..." - Katër pyetjet e Naim Murselit që Leonard Ademaj i dha përgjigje/VIDEO - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Ti vet i ke thanë babës për një sigurim…” – Katër pyetjet e Naim Murselit që Leonard Ademaj i dha përgjigje/VIDEO

    Insajderi
    14 July 2025 - 11:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në seancën e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur të hënën ndaj Naim Murselit, i akuzuar për organizimin e vrasjes së gruas së tij, Liridona Ademajt, ai vetë mori fjalën për të drejtuar pyetje ndaj dëshmitarit Leonard Ademaj, vëllait të viktimës.

    Murseli pyeti nëse motra e tij ndonjëherë ishte ankuar për raportin mes tyre.

    “E kam një pyetje: për 12 vjet martesë, a ju është ankuar ndonjëherë motra për mua apo për raportin tonë?”, pyeti Murseli.

    Leonard Ademaj u përgjigj: “Jo, nuk është ankuar, përveç që para disa muajsh para se të ndodhte ngjarja. E kishte prekur shumë një aferë e Naimit me një të afërm të vet, por që ajo vetë e kishte zgjidhur këtë punë me të dhe ne nuk i kemi kundërshtuar veprimet e saj”.

    Murseli e vazhdoi me pyetje lidhur me qëndrimin në morg ditën pas vrasjes: Ju thatë më herët se unë paskam qenë në morg me Kushtrimin. Në sa ora ka qenë kjo vizitë, që për mua është e panjohur?”.

    Ademaj u përgjigj: “Orën nuk e di, veçse këtë e thotë edhe punonjësi aty që në mëngjes kanë ardhur Kushtrimi dhe Naimi”.

    Në vijim, Murseli pyeti për një udhëtim të përbashkët në Budva: “Dy javë para ngjarjes, a kemi shkuar së bashku për në Budva për të festuar ditëlindjen dhe a vërejtët diçka ndryshe gjatë atij udhëtimi”.

    Leonard Ademaj tha shkurt: “Po, me ftesën e Liridonës”.

    Në fund të pyetjeve, Naim Murseli iu referua dy motiveve të përmendura në aktakuzë dhe e pyeti Ademajn se cilin e beson si më të mundshëm.

    “Në aktakuzë prokurorja përmend dy motive: njëra që ka të bëjë me financa dhe kinse me sigurim jetësor – që nuk dihet asgjë për atë sigurim jetësor se si janë kushtet. Motivi tjetër që thuhet është kinse Liridona më ka tradhtuar. Cilin motiv e beson Leonard Ademaj?”, pyeti Murseli.

    Ademaj u përgjigj: “Motivin kinse Liridona të ka tradhtuar e ke thënë ti vetë, nuk e ka thënë ajo. Për sigurimin, ti e di më mirë, se ia ke bërë asaj, jo vetes. Po ashtu e di mirë kur i ke thënë babit në shtëpi që ‘ja kam bë një sigurim Liridonës se nëse e gjen diçka, përfitojmë shumë dhe fëmijët sigurohen’. Përveç versionit të tradhtisë, të dy versioneve të tjera u besoj plotësisht”.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark