Enkeleda Kapedani është emri më i kërkuar në orët e fundit në rrjetet sociale. Publikimi në media i pamjeve ku gjyqtarja pozon dhe reklamon veshjet e shtrenjta dhe look-un e kuruar deri në detaje, kanë rikthyer sytë nga Elbasani, atje ku krimi është në një përballje të fortë mes bandave që zotërojnë qytetin. Duke shkelur çdo parim të Kodit të Etikës, ku thuhet se gjyqtari/ja duhet ti përmbahet ‘parimeve të sjelljes së hijshme dhe me vetëpërmbajtje’, Kapedani ka zgjedhur Tik-Tokun, një aplikacion i përhapur masivisht edhe në Shqipëri pas pandemisë, që të shfaqë vanitetin që e shoqëron në çdo ditë pune.
“Nuk kam Tik Tok, nuk kam përdorur kurrë rrjetet sociale. Dikush ka përdorur emrin dhe fotot e mia. Është skenar për të prishur imazhin tim. I bëj thirrje organeve të hedhin dritë për personat që kanë keqpërdorur imazhin tim”,-thotë Kapedani në një reagim për mediat pasi videot i dolën në shesh. A ka të drejtë?
Ndoshta, gjyqtarja ka vërtet të drejtë kur thotë se nuk i ka publikuar vetë ato pamje në rrjetet sociale, por a janë xhiruar vërtet ato pamje? A është njësoj shkelje e Kodit të Etikës, nëse një gjyqtare e Republikës, e emëruar me hov në postin e kryetares së Gjykatës së qarkut të Elbasanit, me më pak se 5 vite eksperiencë, pozon si një nga vajzat tona të shfrenuara të showbizzit?
Nëse Kapedani thotë se profili nuk është i saji, atëherë pse nuk ka reaguar më herët, pse nuk ka ndjekur rrugën ligjore dhe të denoncimet video-montazhin e pretenduar apo prishjen e imazhit?
Nëse profili është i rremë, atëherë pse do të mbajë një pjesë të mbiemrit të saj dhe jo emrin e plotë? Profili i gjyqtares në Tik-Tok është pasqyra e një personi që do të mbajë profil të ulët dhe të pazbuluar në rrjet. Dikush që do të donte ti bënte keq, me shumë mundësi do ti vendoste emrin e plotë dhe do të tentonte të shtonte sa më shumë ndjekës…Në rastin Kapedani, ndodhi e kundërta. Sapo videot dolën në media, profili u mbyll.
Po rrobat Gucci? A iu shtuan gjyqtares me montazh apo i ka veshur vërtet? Teksa i gjithë rrjeti është fokusuar tek reklamimi që ajo i bën vetes, një detaj me rëndësi ka humbur rrugës, sa herë që debati shfokusohet nga thelbi për tu marrë me dekorin. A e patë edhe ju luksin e shfrenuar të gjyqtares Kapedani? Në pamje shihen veshjet e shtrenja, marka, florinjtë, apo edhe makina tip BMW e viteve të fundit. A është ky imazhi i drejtësisë së re? A ia del dot Kapedani të justifikojë vanitetin dhe luksin e shfrenuar me rrogën që ka? Kjo do të duhet të ishte çështja kryesore që do të duhet të na shqetësonte dhe më pas të merreshim me “këndvështrimin” filozofik të Kapedanit për mafian. Një gjyqtar/e i korruptuar, nuk mund të ketë sensibilitet për mafian, kur me të bashkëpunon e prej saj ushqehet.
Si u publikuan videot në këtë moment? Gjyqtarja Enkeleda Kapedani është gjyqtarja që ka në ngarkim dosjen e Florenc Çapjas, duke rihapur hetimin. Nga ana tjetër, në të njëjtën kohë kur në media vërshojnë komentet për Kapedanin, nga Dubai vjen si rrufe lajmi se pas arrestimit Florenc Çapja ka kërkuar azil politik atje. A lidhen dy ngjarjet me njëra-tjetrën. Gjyqtarja që duhet ta gjykojë dhe i kërkuari që duhet të përballet me drejtësinë, të dy janë në një moment të vështirë… Kush do t’ja dalë i pari të mbyllë punë me problemet që ka? ‘Bastet’ kanë nisur.