
Në Shqipëri nesër do të mbahet takimi zyrtar mes kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës, presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit maqedonas Zoran Zaev, në kuadër të iniciativës “Open Balkan”.
Delegacionet shtetërore serbe e maqedonase do të mbërrijnë sot në Shqipëri, ndërsa në nder të kësaj vizite janë vendosur flamujt e shteteve respektive nëpër Tiranë.
Por mediave në Shqipëri flamujt e Serbisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” po u duken “zbukurim”.
“Ora News” ka raportuar sot se “bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ është zbukuruar me flamujt e tre shteteve, të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, në kuadër të samitit ‘Open Balkan’”.Mediumi raporton më tej se presidenti serb Vuçiq, kryeministri maqedonas Zaev dhe delegacionet që i shoqërojnë ata do të mbërrijnë sot në Shqipëri.
Vizita e parë do të jetë në Elbasan, ku në mbrëmje do t’u shtrohet një darkë zyrtare.
Më pas nesër në orën 09:00 do të jetë mbërritja e Vuçiqit dhe Zaevit me delegacionet në Pallatin e Brigadave në Tiranë.
Në këtë samit pritet të firmosen 6 marrëveshje bashkëpunimi dhe pas forumit do të mbahet dhe një konferencë e përbashkët për shtyp e tre liderëve të iniciativës “Ballkani i Hapur”.
Në kundërshtim të vizitës së Vuçiqit në Tiranë ish-kryeministri dhe ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka thirrur sot protestë kombëtare.