Drejtori i Ndërmarrjes “Trepça”, Ahmet Tmava, reagimin e zyrtarëve serbë për miratimin e ligjit për këtë ndërmarrje i ka quajtur deklarata politike për konsum të brendshëm.
Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, Tmava tha se pavarësisht reagimeve, do të ketë bashkëpunim me pjesën veriore të saj.
“Kemi bashkëpunim me pjesën veriore, madje kemi shkëmbyer edhe kuadro e mjete pune. Derisa nuk vijnë direktivat nga Beogradi gjithçka është korrekte, mirëpo kur t’i marrin këto direktiva, tentojnë ta devijojnë këtë bashkëpunim. Por ne kemi të bëjmë me zhvillim ekonomik që nënkupton interes për qytetarët, pa dallim të përkatësisë etnike”, ka theksuar Tmava.
Ai më tej në këtë intervistë tha se me miratimin e këtij Ligji do të filloj një epokë e re e zhvillimit, me vende të reja pune dhe dyfishimin e prodhimit të saj.
“Ligji për Trepçën është i mirë pasi jep mundësi zhvillimore dhe shënon një epokë të re, që nënkupton zhvillim dhe mirëqenie. Deri më tani ‘Trepça’ ka qenë me status të mbijetesës, ndërsa me anë të këtij ligji këtij kombinati i përcaktohet statusi zhvillimor”, ka deklaruar Tmava.
Ai ka paralajmëruar se brenda një periudhe të caktuar kohore do të dyfishohet prodhimi i këtij kombinati.
“Do të ketë rritje të numrit të punëtorëve sepse mendohet se prodhimi që aktualisht është afër 400 mijë tonë që eksplatohen, të rritet deri në 1.5 milion tonë xehe për një periudhë të caktuar kohore”, tha Tmava, duke shtuar se, krahas rritjes së prodhimit, do të ketë edhe rritje të pagave për punëtorët.