
Avokati me ambicie për t’i hyrë politikës duke mbështetur haptazi Lëvizjen Vetëvendosje, Tomë Gashi vazhdon të besojë se përdorimi i fjalës “shkije” duke iu referuar serbëve të Kosovës, është i drejtë dhe nuk përben fyerje ndaj këtij nacionaliteti.
Pasi fillimisht e përdori këtë fjalë në një emision televiziv, duke ngjallë reagime tek Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, të cilët e akuzuan avokatin për fyerje të serbëve duke iu referuar atyre me “term fyes dhe denigrues”, Gashi ka vazhduar të mbroj vetën nga këto akuza.
Ka thënë se këtë emërtim po e përdor për shkak se “shkijet” kurrë nuk kanë kërkuar falje për krimet që i kanë kryer në Kosovë.
Ka dhënë disa argumente që sipas tij, fjala “shkije” nuk është term fyes.
“Me 29 prill kur unë ju kam quajtur shkije nuk ka qenë festë. Me 29 prill kur unë ju kom quajtur shkije ka qenë përvjetori i masakrës së Mejës ku 400 fëmijë, gra e pleq shqiptar civil janë vrarë e masakruar nga shkijet e uniformuar të Serbisë”, ka shkruar Gashi në Facebook.
Sipas tij, serbët që jetojnë në Kosovë përveç që nuk kanë kërkuar falje për krimet që i kanë kryer në Kosovë, disa prej tyre edhe si ministra të Qeverisë së Kosovës i kanë quajtur egërsira nënat e shqiptarëve të zhdukur në Gjakovë, duke aluduar në rastin “Jabllanoviq” që ngjalli protesta.
Në sqarimin e tij, në mënyrë të vazhdueshme avokati Gashi u referohet serbëve si shkije.
“Shkijet e Kosovës e as shkijet e Serbisë kurrë nuk kanë kerkuar falje për këto 17 vite për masakrat që në emër të shkive i kryen forcat okupuese të Millosheviqit duke vra e masakruar rreth 15.000 shqipëtarë civil”, ka shkruar Gashi.
“Kur po ju thom shkije nuk po ju ofendoj se shkije jeni”, ka shtuar Gashi, duke ofruar edhe një link në të cilin në një blog ofrohet një shpjegim për këtë term.
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS) kanë reaguar duke thënë se gjuha e përdorur nga avokati në paraqitjen e tij publike, shtë në kundërshtim me kodin e etikes profesionale të avokatit që ndalon sjelljet fyese nga ana e avokatëve.
“Shprehjet denigruese, fyese, poshtëruese, në kundërshtim me ligjet në fuqi janë të papranueshme, sidomos kur vijnë nga personat që duhet të mbrojnë liritë dhe të drejtat e njeriut, andaj përmes kësaj komunikate kërkojmë që avokati Tomë Gashi të kërkojë falje publike për termin fyes ndaj komunitetit serb”, thuhej në reagimin e tyre./Insajderi.com