Tragjedia me 12 të vrarë në Mal të Zi, krejt çka dihet deri tash - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Tragjedia me 12 të vrarë në Mal të Zi, krejt çka dihet deri tash

    Insajderi
    02 January 2025 - 13:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në një sulm në masë në Cetinje të Malit të Zi mbetën të vrarë 12 persona, mes tyre dy fëmijë. Mjekët e Qendrës Klinike në Podgoricë po trajtojnë katër të lënduar të tjerë.

    Në këtë krim makabër mbetën të vrarë shtatë burra, tre gra dhe dy fëmijë, raporton Vijesti, pëcjell Insajderi.

    Të gjitha njësitë policore, si dhe pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë malazeze, kanë kërkuar me orë të tëra për të dyshuarin Aco Martinoviq, i cili vdiq pak minuta para mesnatës së të mërkurës, pasi qëlloi veten në kokë kur, siç konfirmoi ushtruesi i detyrës së drejtorit të policisë, Lazar Shqepanoviq, policia e rrethoi atë në afërsi të shtëpisë së familjes së tij.

    Ai ka vdekur rrugës për në Qendrën Klinike në Podgoricë.

    Martinoviqi e filloi krimin në tavernën “Velestovo”, afër Qendrës Sportive në hyrje të Cetinjes, ku vrau katër persona dhe më pas vrau tetë të tjerë në tri lokacione të tjera në qytet. Në mesin e të vrarëve ishin tri gra dhe dy djem, që të dy vëllezër me nga 10 dhe 13 vjeç.

    Rreth orës 20:00, policia kishte informacione se Martinoviqi dyshohet se ishte parë në një nga sallat e braktisura të ish-fabrikës “Obod”, por pas kontrollit të objektit nuk ishte gjetur aty.

    Të dhënat e para jozyrtare tregonin se Martinoviqi mëngjesin e sotëm ka qenë në tavernën e vogël “Velestovo”, ku gjatë ditës është shoqëruar me pronarin dhe disa të njohur e miq të tjerë të përbashkët, pasi kanë festuar Vitin e Ri me ushqime dhe pije.

    I dyshuari dyshohet se ka pasur një debat, e më pas ka ndodhur një përleshje në lokal, pas së cilës ai ka shkuar në shtëpi, e më pas pas një kohe të shkurtër është kthyer i armatosur.

    Ai ka qëlluar në tavernë dhe besohet se aty ka vrarë katër persona.

    Pas kësaj, ai ka marrë veturën e tij dhe në tre lokacione të ndryshme në Cetinje ka vrarë dhe plagosur disa të tjerë, duke përfshirë dy fëmijë dhe disa anëtarë të familjes së tij të ngushtë dhe të gjerë. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark