
Pasditen e së dielës, më 31 gusht, në rrugën Komoran–Drenas, në fshatin Zabel i Ulët, ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku.
Një veturë e tipit Audi, me targa vendore, ka dalë nga rruga dhe është vetaksidentuar. Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën një vajzë 7-vjeçare nga fshati Cerovik i Klinës, ndërsa katër persona të tjerë – tri femra dhe një mashkull – kanë pësuar lëndime trupore, shkruan Insajderi.
Policia e Kosovës njoftoi se të lënduarit janë dërguar për trajtim në QKUK, kurse me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i vajzës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Rreth orës 17:08, një veturë të cilën e drejtonte një femër kosovare ka dalë nga rruga dhe është vetaksidentuar. Si pasojë, një vajzë ka ndërruar jetë, ndërsa katër persona të tjerë janë lënduar”, thuhet në raportin e policisë. /Insajderi.org/