Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, ka vizituar spitalin ku janë shtruar të plagosurit nga të shtënat me armë në Cetinje.
Spajiq informoi për televizionin publik malazez RTCG se katër persona janë plagosur rëndë dhe janë futur në operim.
“Një tragjedi e tmerrshme që na goditi të gjithëve. Tani për tani, të gjitha ekipet e policisë janë në terren. Po kërkojmë autorin, jemi në rrugën e duhur. Mjekët po luftojnë për katër jetë në QKKG. Të gjithë po i nënshtrohen operacionit tani dhe mjekët po luftojnë për jetën e tyre,” tha Spajiq, shkruan RTCG.
Kreu i qeverisë malazeze shpalli tri ditë zie, pas sulmit ku mbetën të vrarë shtatë persona, ndërsa dyshohet se në mesin e viktimave janë edhe dy fëmijë.