Mircea Lucescu (79 vjeç), trajneri i kombëtares së Rumanisë, mbajti sot konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Qipros, e cila do të zhvillohet të hënën, më 18 nëntor, në orën 21:45, në raundin e fundit të grupeve të Ligës së Kombeve.
Në pritje të një vendimi përfundimtar nga UEFA për ndeshjen e ndërprerë me Kosovën, ku rezultati ishte 0-0 dhe ishte ndërprerë nga Dardanët në minutat shtesë, Rumania vazhdon të kryesojë grupin C2 me 12 pikë.
Lucescu pranoi se loja e Rumanisë në ndeshjen me Kosovën kishte qenë e dobët. Ai e shpjegoi këtë me presionin që skuadra ndiente për të marrë një rezultat të mirë dhe për të fituar grupin.
“Së pari, lojtarët kuptuan që bënë një ndeshje të dobët, mendoj se kjo ndodhi për shkak të presionit për të marrë një rezultat të mirë dhe për të fituar grupin. Bëmë gabime të mëdha, fëmijërore, duke u dhënë atyre mundësinë të afrohen te porta. Jam dakord të humbasim topa, por për shkak të kundërshtarit, jo nga gabimet tona. Lojtarët ndien presionin e një stadiumi të mbushur, ndryshe nuk e shpjegoj dot. E dinim paraprakisht që ata do të largoheshin nga fusha, e kishin deklaruar edhe në konferencë. Publiku ynë u soll jashtëzakonisht mirë. Nuk mund të krahasohet me atë që ndodhi në Prishtinë. Aty na hodhën objekte, na fishkëllenin himnin. Prisja që himni i tyre të mos fishkëllehej, u dha arsye të largoheshin. Ishte mungesë e rëndë fair-play”, tha Lucescu në konferencën për shtyp.
Ai gjithashtu theksoi se, sipas tij, vendimi i UEFA-s pas ngjarjeve në ndeshjen me Kosovën mund të jetë vetëm një: Rumania të fitojë ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0.
“Në fushë duhet të tregohet respekt dhe edukatë. Pastaj, ata thanë gënjeshtra. Nuk u ofenduan, nuk u qëlluan. Kur e provokuan Alibec-un, ai nuk duhej t’i përgjigjej provokimit, u kisha thënë më parë. Kishte një frikë se mund të ndodhte diçka. Nëse nuk fitojmë me 3-0, atëherë nuk ekziston më rregullorja. Gjithsesi, ajo u shkel, pasi u vonua shumë. Vendimi duhej marrë menjëherë, por nuk patën guxim ta bënin. Ne ishim të gatshëm të prisnim deri në mëngjes. Gjithsesi, u kthyem në orën 4 të mëngjesit. Një ekip që del nga fusha duhet të humbasë 0-3. Vendimi duhet të merret nga instancat përkatëse,” u shpreh Lucescu.