Trajneri i Milanit, Paulo Fonseca ka folur pas ndeshjes me Barcelonën, të cilën “Rossoneri” e fituan përmes penalltive derisa loja e rregullt u mbyll baras, 2:2.
Luka Jovic dhe Christian Pulisic i shënuan golat e Kuqezinjve, kurse Robert Lewandowski realizoi dy herë për gjigantin katalunas.
“Jam i kënaqur me lojtarët e mi, luajtën shpesh me kurajë. E patëm një qasje të mirë në lojë, në 20-30 minutat e parë bëmë gjëra të mira. Ishte një ndeshje ku kishim edhe vështirësi, ata (Barça) janë të fortë, por në përgjithësi jam mjaft i kënaqur. E kam parë vendosmërinë dhe kurajën e lojtarëve”, deklaroi fillimisht Fonseca për “Milan TV”..
“Duhet të përmirësohemi, por kemi bërë gjëra të mira në këto tri miqësore kundër skuadrave të forta. Ne duam ta rimarrim shpejt topin kur ta humbim atë. Duam të jemi një skuadër që bën presion të lartë. Ka nisur të shihet presioni i lartë i skuadrës, natyrisht duhet të përmirësohemi, por do të jetë njëra prej gjërave që duam ta bëjmë në fushë”, vazhdoi ai.
Trajneri portugez foli edhe në përgjithësi për eksperiencën amerikane.
“Ishin ditë mjaft të mira. Personat dhe tifozët ishin specialë me ne. Tash është koha të kthehemi në shtëpi, do t’i kemi dy ditë për të qëndruar me familjet tona dhe më pas do të nisim të përgatitemi për lojën e parë zyrtare, edhe pse fillimisht do ta kemi një miqësore tjetër me Monzan”, nënvizoi ish-trajneri i Lillet.
“Duhet të nisim të mendojmë për debutimin në kampionat, do ta luajmë ndeshjen e parë në San Siro, pres që stadiumi të mbushet. Ne duam ta ndërtojmë një skuadër që do t’i bëjë tifozët krenarë. Kemi nisur mirë, duhet të përmirësohemi, por ne fund mendoj se tifozët do të jenë gjithmonë me ne. Duam ta ndiejmë mbështetjen e tyre që nga loja e parë”, përfundoi Fonseca.