‘Gypsy King’ mund të ketë në plan një ndryshim të papritur të karrierës pas njoftimit të tërheqjes nga boksi të hënën pasdite.
Tyson Fury ka përmendur mundësinë e një ndryshimi befasues të karrierës pasi shpalli tërheqjen nga boksi përmes një videoje në rrjetet sociale.
36-vjeçari postoi një video ku njoftonte fansat se kishte vendosur t’i japë fund një karriere të shkëlqyer në boks.
Videoja u shoqërua me përshkrimin:
“Faleminderit, ka qenë një aventurë fantastike. Faleminderit të gjithëve që ndihmuan gjatë rrugës! Gëzuar Vitin e Ri. Jezusi është mbret tani dhe përgjithmonë.”
“Përshëndetje të gjithëve, do ta shkurt” tha Fury në video.
“Dua të njoftoj tërheqjen time nga boksi. Ka qenë një aventurë fantastike, kam dashur çdo minutë të saj dhe po e mbyll me këtë; Dick Turpin mbante një maskë.”
Njoftimi i Fury-t vjen pak më shumë se dy javë pas humbjes së tij të dytë në karrierë kundër Oleksandr Usyk.
Fury, ish-kampion i botës në peshat e rënda, ishte i pamposhtur deri kur humbi me vendim të ndarë ndaj Usyk, 37 vjeç, në Riad, Arabinë Saudite, në maj 2024.
Më pas, ai pësoi një humbje tjetër me pikë ndaj ukrainasit më 21 dhjetor, duke e çuar rekordin e tij në 34 fitore, një barazim dhe dy humbje nga 37 ndeshje profesionale.
Çfarë pritet pas boksit për Tyson Fury?
Kristian Blacklock, trajneri i forcës dhe kondicionimit i Fury-t për më shumë se një dekadë, ka zbuluar disa opsione që mund të ndjekë Fury pas largimit nga boksi profesionist.
“Unë nuk mund ta imagjinoj atë krejtësisht jashtë boksit; mund të përfshihet në shumë mënyra të ndryshme,” tha Blacklock për SPORTbible në dhjetor.
“Ai është një djalë shumë inteligjent, sidomos me boksin, njohuritë e tij janë të pabesueshme. Ai mund të bëhet gjithçka, nga komentator te trajner, mund të hyjë në menaxhim, ai mund të bëjë gjithçka që dëshiron”.
“Por ai nuk ka pse [të punojë më]. Natyrisht, ai ka pasur një karrierë shumë të suksesshme. Ai është në një pozitë ku mund të zgjedhë çfarë të bëjë pas boksit”.
Sipas llogaritjeve të Forbes, në maj 2024, Fury kishte një vlerë neto prej rreth 50 milionë dollarësh. Kjo shumë u rrit ndjeshëm pas ndeshjes së dytë kundër Usyk, nga e cila ai thuhet se përfitoi rreth 63.7 milionë funte.
Megjithatë, në moshën 36-vjeçare, Fury mund të ndjekë disa rrugë të ndryshme karriere jashtë sportit. Por, siç thotë shpesh babai i tij, John Fury, familja e tyre janë “njerëz luftarakë”.
Një mundësi për Fury mund të jenë artet marciale të përziera (MMA).
Në tetor 2023, ai luftoi dhe mundi ish-kampionin e UFC-së, Francis Ngannou. Por a do të përballen ata sërish në kafaz?
“Unë nuk e shoh [një përballje në MMA],” shpjegoi Blacklock.
“Ndoshta një lloj ndeshjeje ekzibicioni në të ardhmen, nuk e di. Nuk e shoh Tyson të ketë një ndeshje MMA së shpejti, por kurrë nuk i dihet, apo jo?”.
“Kjo është diçka që ai do ta vendosë nëse i ofrohet. Por Tyson është boksier, jo luftëtar MMA-je, dhe nuk ka stërvitur kurrë posaçërisht për MMA. Por, kush e di?””.
Pavarësisht çfarë vendos të bëjë, Fury do të mbetet një nga boksierët më të mirë të Britanisë dhe, pa dyshim, një nga tre më të mirët e peshave të rënda që vendi ka prodhuar ndonjëherë, krahas Lennox Lewis dhe Anthony Joshua.