Trajneri i Zvicrës Vladimir Petkoviç thotë se asnjë nga futbollistët kosovarë të Zvicrës nuk ka shprehur dëshirën për të luajtur për Kosovën dhe nuk mendojnë se “Kosova është opsioni i duhur”.
Në një intervistë të gjatë me mediumin kroat “Jutarnji”, Petkoviç nuk ka mundur t’i shmangej pyetjeve që lidhen me Kosovën dhe futbollistët me origjinë nga ky vend që luajnë në Zvicër.
“Unë nuk kujdesem shumë për këtë gjë[ndërrimin e përfaqësueses nga kosovarët]. Nga ata pak që mund të luajnë për përfaqësuesen e Kosovës, asnjë nuk ka thënë se ata do të vijnë për Kosovën”, deklaroi Petkoviç, raporton Insajderi.
Përkundër vendimit të Federatës Zvicerane të Futbollit për të votuar kundër pranimit të Kosovës në UEFA më 3 maj të këtij viti, trajneri me origjinë boshnjake thotë se “askush në Zvicër nuk ka diçka kundër pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA”.
Megjithatë, Petkoviç dëshiron që në këtë situatë që ndodhen futbollistët e Zvicrës me origjinë kosovare dhe kombëtarja helvete, sipas tij është mirë që të kishin qenë disa rregulla të vendosura më parë në mënyrë që futbollistët të mos kenë presion.
“Askush në Federatën Zvicerane nuk ka diçka kundër pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, por unë do dëshiroja që të ekzistonin disa rregulla të vendosura më parë, kështu që nuk do të kishte presion në lojtarët individual”, shprehet Petkoviç, i cili mori drejtimin e kombëtares zvicerane menjëherë pas përfundimit të botërorit “Brazili 2014”.
Në përfaqësuesen helvete momentalisht të ftuar në 23-shën e futbollistëve janë 4 futbollistë me origjinë nga Kosova: Xherdan Shaqiri – Stoke City, Shani Tarashaj – Everton, Granit Xhaka – Arsenal dhe Valon Behrami – Watford City.
Më parë për këtë përfaqësuese kanë luajtur edhe Milaim Rama dhe Albert Bunjaku, ndërsa nuk mungojnë edhe shqiptarët nga trojet tjera, sic është rasti i Admir Mehmedit, Pajtim Kasamit dhe Blerim Xhemailit të cilët kanë origjinë nga Maqedonia, raporton Insajderi.
Edhe Granit Xhaka pak ditë më parë në një intervistë me gazetën zvicerane Blick, ka thënë se ka marrë vendimin që të përfaqësojë Zvicrën, përkundër pranimit të Kosovës në FIFA.
“Ka kohë që kam vendosur ta përfaqësojë Zvicrën. Në atë kohë nuk e dija se një ditë do të ketë kombëtare të Kosovës”, ka thënë Xhaka për Blick.
Në anën tjetër, ish-trajneri i Lorik Canës tek Lazio, Vladimir Petkoviç beson se pavarësisht origjinës së këtyre futbollistëve, ata përfaqësojnë Zvicrën dhe “janë pasqyra e këtij kombi”.
Petkoviç më parë ka drejtuar skuadrat zvicerane të Sionit, Luganos, Young Boys-it apo Bellinziona, ndërsa kulmin e karrierës si menaxher e ka arritur me skuadrën italiane Lazio dhe së fundmi me trajnimin e përfaqësueses së Zvicrës.
Zvicra do të ndeshet me kombëtaren shqiptare në kuadër të Euro 2016, më 11 qershor në stadiumin “Stade Bollaert” të Lensit. /Insajderi.com