Transformimi i Shqipërisë dhe mësimet që mund t'i nxjerrë Kosova - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Transformimi i Shqipërisë dhe mësimet që mund t’i nxjerrë Kosova

    Insajderi
    30 September 2025 - 18:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkurtimisht

    • Shqipëria ka kaluar nga një vend i izoluar komunist në një shtet që sot negocion kapitujt e fundit për anëtarësim në BE.
    • Brukseli e sheh këtë përparim si mbresëlënës.
    • Pyetja që ngrihet është: çfarë mësimesh mund të nxjerrin vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Kosova, nga kjo rrugë?

    Kur flitet për suksesin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, përmenden dy shtylla kryesore: reformat e brendshme që kanë transformuar sistemin e drejtësisë, dhe diplomacia e jashtme që ka afruar vendin me qendrat vendimmarrëse të Evropës.

    Pesë vjet nga vendimi i Komisionit Evropian për të nisur bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë, dhe vetëm një vit prej se ato kanë nisur në praktikë, vendi ka hapur 28 kapituj – katër vetëm këtë muaj – nga 35 gjithsej.

    Ky përparim ka ngjallur optimizëm në Bruksel, ku zyrtarët besojnë se Shqipëria mund t’i hapë kapitujt e mbetur deri në fund të vitit.

    “Shqipëria ka treguar se ndryshimi pozitiv është i mundur dhe BE-ja e shpërblen këtë ndryshim pozitiv. Mbajeni ritmin”.

    Këtë shtysë, komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, ia dha kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, më 16 shtator në Bruksel.

    Shqipëria, me ritëm gjithnjë e më të qëndrueshëm nisi të lëvizte qysh në fillim të viteve ‘90, kur diktatura komuniste që kishte mbajtur vendin të izoluar hermetikisht për 45 vjet, u rrëzua mes trysnisë popullore për ndryshim.

    Demokracia ishte ëndrra e madhe e shqiptarëve të asaj kohe, por realiteti solli përballje edhe me pasiguri të thella ekonomike dhe shoqërore.

    Në mesin e viteve ‘90, vendi përjetoi një prej krizave më të rënda të historisë moderne: kolapsin e skemave piramidale, që çuan në revoltë dhe kaos në vitin 1997.

    Anarkia që pasoi – me depot e ushtrisë të hapura dhe armët në duart e civilëve – vuri në pikëpyetje edhe vetë mbijetesën e shtetit. Mbi 2.000 njerëz humbën jetën, mijëra të tjerë emigruan.

    Shqipëri, 1997
    Shqipëri, 1997

    Por, edhe në këto rrethana, Shqipëria mbeti e orientuar nga Perëndimi. Fillimisht, ndihma ndërkombëtare dhe misionet paqeruajtëse ndihmuan në stabilizim.

    Më pas, vendi nisi të ndërtonte institucione të reja dhe të afrohej me NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Në vitin 2009, Shqipëria u bë anëtare e aleancës më të madhe ushtarake perëndimore, ndërsa pesë vjet më vonë, BE-ja ia dha statusin e vendit kandidat.

    Klodiana Beshku, ligjëruese në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit të Tiranës, thotë se slogani i protestave të viteve ’90 “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” nuk ishte, thjesht, thirrje e asaj kohe, por u bë udhërrëfyes për shoqërinë shqiptare gjatë gjithë rrugëtimit drejt integrimit evropian, duke u pasqyruar edhe në kulturë e art, e më pas edhe në politikën e jashtme të vendit.

    “Integrimi evropian ishte zanafilla dhe objektivi i çdo qeverie shqiptare dhe, mbi të gjitha, i Qeverisë së tanishme të kryeministrit Rama. Për hir të së vërtetës, Rama është jashtëzakonisht i dedikuar ndaj kësaj çështjeje”, thotë Beshku për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

    “Shqipëria 2030 në BE” ishte slogani i partisë së Ramës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, të cilat ai i fitoi bindshëm. Pas konfirmimit të Qeverisë së re më 18 shtator në Kuvend, Rama deklaroi se ky slogan do të mbetet kryefjala e mandatit të tij të ri – të katërtit me radhë.

    “Shqipëria evropiane është busulla orientuese e çdo faqeje të programit tonë dhe metronomi i ritmit të çdo reforme që do të ndërmarrim”, u shpreh Rama.

    Beshku thotë se reformat e ndërmarra gjatë viteve, veçanërisht ajo në drejtësi, e cila çoi në vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe në arrestimin e rasteve të korrupsionit në nivel të lartë, ripërcaktuan pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë.

    “Ajo ka sjellë si risi rënien e kulturës së mosndëshkimit në nivele të larta. Kjo ka ndryshuar rrënjësisht perceptimin e individëve ndaj shtetit, por edhe perceptimin ndaj Shqipërisë së jashtme”, sipas saj.

    Me të pajtohet edhe Rikard Jozwiak, redaktor për Evropën i Radios Evropa e Lirë, i cili prej vitesh ndjek politikat e BE-së. Ai thotë se udhëheqësit evropianë janë të impresionuar jo vetëm nga reformat e thella në Shqipëri dhe përmbushja e kërkesave të BE-së, por edhe nga imazhi që Rama ka ndërtuar në Bruksel.

    Sipas Jozwiakut, Rama gjithmonë shfaq mentalitetin “mund ta bëjmë”, që e dallon qartazi nga të tjerët.

    “Edi Rama është shumë i pëlqyer në Bruksel. Do të thosha, madje, se e duan shumica – qoftë për shkak të karizmës, qoftë për shkak të pozitivitetit. E gjithë prezenca e tij publike është në kontrast të thellë me shumë udhëheqës të tjerë, sidomos nga Ballkani Perëndimor, të cilët vijnë në Bruksel dhe ankohen për këtë, për atë, dhe për njëri-tjetrin”, thotë Jozwiak.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

    Shqipëria spikat në ritëm mes nëntë vendeve kandidate për BE. Sipas Jozwiakut, është “nxënësja e vetme me notën A+”, e ndjekur nga Mali i Zi; të tjerat ecin më ngadalë ose kanë mbetur në vendnumëro.

    Jozwiak thotë se edhe transformimi në destinacion turistik e ka përmirësuar perceptimin e publikut, duke lënë pas imazhin e dikurshëm të një Shqipërie pa ligj apo të lidhur me mafien.

    Për më tepër, ajo ka marrë nam edhe si mikpritëse e ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare: në maj priti samitin e Komunitetit Politik Evropian me mbi 50 liderë evropianë, në shkurt të 2024-ës organizoi një samit për Ukrainën me pjesëmarrjen e presidentit Volodymyr Zelensky, ndërsa në vitin 2027, Rama ka thënë se do të presë në Tiranë samitin e liderëve të NATO-s.

    Jo më kot, thotë Jozwiak, në Bruksel e thërrasin me lurtim “xhaxhi Edi nga Tirana”.

    “Ai sjell më pak probleme në tryezë dhe kjo tërheq simpatinë e të gjithëve, madje edhe të holandezëve, që zakonisht janë kritikë, por që tani thonë se Shqipëria e meriton, duhet të ecë përpara”, thotë Jozwiak.

    Edhe ish-sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, iu drejtua Ramës me “Edi” gjatë vizitës në Tiranë vitin e kaluar, duke vlerësuar veçanërisht përparimin e tij në reformën e drejtësisë.

    Megjithatë, jo gjithçka është për lavd. Në raportin më të fundit të Departamentit të Shtetit, nën drejtimin e Blinkenit, Shqipëria përshkruhej si vend ku “korrupsioni ekziston në të gjitha degët dhe nivelet e Qeverisë”.

    Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave të Shqipërisë, më shumë se një e treta e popullsisë së mëparshme prej 3.3 milionë banorësh është larguar nga vendi që nga viti 1991. Pagat mesatare mujore janë ekuivalente me rreth 750 euro dhe pothuajse një e treta e të rinjve që janë ende në vend, janë të papunë.

    Rama akuzohet vazhdimisht edhe nga opozita shqiptare për kontakte me krimin e organizuar – gjë të cilën ai e mohon.

    Kritika i vijnë edhe nga mediat perëndimore. Në një shkrim vitin e kaluar, Der Spiegel shkroi se Rama – pavarësisht korrupsionit në Shqipëri – është i pëlqyer në Evropë, për shkak se e ndihmon në menaxhimin e krizës me refugjatë.

    Një ditë pas zgjedhjeve të 11 majit, Neue Zürcher Zeitung shkroi se “Rama ka ngritur një aparat pushteti, siç e njohin mjaft vende në rajon: Ai është kreu i një partie që kontrollon administratën, gjykatat dhe shumë media”.

    Në raportin e sivjetmë, Reporterët pa Kufij vlerësuan se media shqiptare është e prekur nga konflikte interesi. Megjithatë, Shqipëria arriti të ngjitet në pozitën e 80-të, nga e 99-ta në vitin 2024.

    Për të ruajtur momentumin që ka, James Ker-Lindsay, profesor në Shkollën Ekonomike të Londrës, thotë se Shqipëria duhet të vazhdojë të zbatojë reforma të brendshme, edhe kur ato janë sfiduese, dhe t’i mbrojë parimet demokratike, siç janë zgjedhjet e lira dhe mediat e pavarura.

    “Të bashkohesh me BE-në nuk do të thotë vetëm t’i përshtatësh rregullat për sigurinë ushqimore apo sistemet financiare. Është po aq e rëndësishme të kesh një ekonomi tregu që funksionon dhe një demokraci që funksionon”, thotë Ker-Lindsay për Exposenë.

    Jozwiak, gjithashtu, beson se përparimi i Shqipërisë drejt BE-së është premtues, por i brishtë, dhe thotë se qëndrueshmëria e tij do të varet nga reformat e sinqerta, uniteti politik dhe menaxhimi i kujdesshëm i marrëdhënieve dypalëshe.

    Sipas tij, BE-ja e do me ngut një zgjerim, pasi nuk është zgjeruar që nga viti 2013 me Kroacinë, dhe i duhet një sukses.

    “Mendoj se Shqipëria dhe Mali i Zi do të anëtarësohen këtë dekadë. Të paktën këto dy vende do të hyjnë, pothuajse pavarësisht nga ajo që bëjnë”, thotë Jozwiak.

    Vëzhguesit nënvizojnë se vendet e tjera mund të mësojnë nga përvoja e Shqipërisë, se integrimi në BE kërkon reforma të thella dhe zbatim të tyre, bashkëpunim konstruktiv me institucionet evropiane dhe gatishmëri reale për t’u përshtatur me standardet evropiane.

    Kosova, si i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor pa status kandidati, ndoshta mund të ndjejë presion nga ky sukses i Shqipërisë për të hapur rrugën e saj – duke rinisur fillimisht dialogun e bllokuar me Serbinë.

    “Duhet t’i tregosh Evropës se je i gatshëm të bashkëpunosh. Në rastin e Kosovës, ky është një mesazh jashtëzakonisht i rëndësishëm, veçanërisht tani, kur marrëdhëniet midis kryeministrit [në detyrë të Kosovës, Albin] Kurti dhe BE-së janë në një pikë aq të ulët”, thotë Ker-Lindsay.

    Në një Evropë të trazuar nga sfidat e sigurisë, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shansin të tregojnë pjekurinë e tyre dhe të provojnë se mund të luajnë lojën e madhe… pa prishur gjithçka rrugës. Shqipëria, sipas vëzhguesve, është prova se kjo rrugë është e mundur.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark