
OJQ Mitrovica Guide, Grupi i qytetarizmit aktiv “Tjetërqysh” përcjellin indinjatën dhe pakënaqësinë e qytetarëve të Mitrovicës lidhur me gjendjen e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë e cila ishte djegur me 28 mars 2015.
Sipas këtyre OJQ-ve rrethojat mbrojtëse të shtëpisë së Xhafer Devës tash e dhjetë ditë janë të demoluara.
“Ndërtesa në fjalë është në gjendje të rëndë fizike, ku muret e djegura dhe tullat e ndërtesës paraqesin rrezik për banorët e lagjes dhe kalimtarët e rastit, andaj lusim Komunën e Mitrovicës, Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Mitrovicë, Drejtorinë e Mbrojtjes dhe Shpëtimit si dhe Drejtorinë e Inspeksionit, që sa më parë të intervenojnë për parandalimin e ndonjë fatkeqësie, dhe ti marrin të gjitha masat për sigurimin e rrethojave të objektit”, thuhet në njoftim.
Ato kërkojnë nga institucionet që të reagojnë sa më parë në rindërtimin e shtëpisë së Xhafer Devës dhe ta vënë në funksion sa më shpejtë pasi që ky objekt ka vlera të veçanta artkitektonike, kulturore e historike. Për më tepër ajo është edhe nën mbrojtjen e Institutit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit.
“Edhe objektet tjera të rëndësisë kulturore e historike në Mitrovicë dhe rrethinë, gjinden nën mëshirën e fatit dhe nuk kanë ndonjë përkujdesje të duhur institucionale”, thuhet më tej në reagim.