
“Trashëgimia në Rrezik” është platformë dhe një mundësi e re për të informuar publikun, institucionet relevante dhe palët e interesit për kushtet në të cilat ndodhet trashëgimia kulturore e vendit, dhe njëherësh synon t’i përfshijë ata në vlerësimin dhe ruajtjen e saj.
Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB Kosova) në bashkëpunim me organizatën EC Ma Ndryshe, gjatë vitit 2016 ka analizuar gjendjen fizike të rreth 900 aseteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Si rezultat i kësaj pune është krijuar platforma e cila është përmbledhje e aseteve që janë në rrezik “Lista e Trashëgimisë në rrezik”, shkruan KultPlus.
Kësisoj, platforma “Lista e Trashëgimisë në rrezik”, e krijuar nga CHwB dhe Ec Ma Ndryshe, do të lansohet sot nga ora 14:00 në Klubin e Boksit në kryeqytet.
Përveç lansimit të platformës, do të bëhet edhe hapja e një ekspozite që ka të bëjë me këto asete të trashëgimisë kulturore.