Tre shtetas amerikanë dhe një person me leje qëndrimi në Shtetet e Bashkuara, janë në mesin e 16 të burgosurve politikë që u liruan nga burgjet ruse në një këmbim të madh të burgosurish që ndodhi të enjten.
Në mesin e të burgosurve të liruar janë gazetari i Wall Street Journal Evan Gershkovic, ish marinsi amerikan Paul Whelan, gazetarja e Radio Evropa e Lirë Alsu Kurmasheva dhe aktivisti rus Vladimir Kara-Murza.Krahas këtyre u liruan nga Rusia edhe12 të burgosur të tjerë, 5 gjermanë dhe 7 rusë.
Ata u këmbyen me tetë individë që ishin duke vuajtur dënime me burg në Shtetet e Bashkuara, Gjermani, Poloni, Norvegji dhe Slloveni, që u kthyen në Rusi.
Presidenti amerikan Joe Biden tha se marrëveshja që siguroi lirimin e tyre “ishte rezultat i diplomacisë” dhe tha se në mesin e të liruarve “ka gra dhe burra që janë mbajtur padrejtësisht me vite.”
“Të gjithë kanë kaluar nëpër vuajtje të paimagjinueshme dhe pasiguri. Sot agonisë së tyre i erdhi fundi,” deklaroi Presidenti Biden.Ai falenderoi aleatët që qëndruan pranë Shteteve të Bashkuara, siç tha ai, “gjatë negociatave të vështira dhe të ndërlikuara për të arritur këtë rezultat.”
Zoti Biden veçoi Gjermaninë, Poloninë, Slloveninë, Norvegjinë dhe Turqinë.“Ky është një shembull i fuqishëm se pse është jetike të kemi miq në këtë botë, të cilëve mund t’u besosh dhe tek të cilët mund të mbështetesh. Aleancat tona i bëjnë amerikanët më të sigurtë,” shtoi ai.
Ai më tej tha se do të vazhdojë angazhimin “derisa çdo amerikan që është i arrestuar padrejtësisht, apo që mbahet peng në botë të ribashkohet me familjen e vet.
”Presidenti Biden tha se administrate e tij deri më tani ka siguruar kthimin e mbi 70 amerikanëve të tillë.“Sot, po festojmë kthimin e Paulit, Evanit, Alsus dhe Vladimirit dhe po marrim pjesë në gëzimin e familjeve të tyre,” deklaroi ai.
“I kujtojmë të gjithë ata që po mbahen padrejtësisht… dhe ua konfirmojmë familjeve të tyre zotimin tonë: Ju shohim. Jemi me ju dhe nuk do të ndalemi së punuari që t’i kthejmë të dashurit tuaj në shtëpi, aty ku e kanë vendin.”. /VOA