Nëse Arsenali vërtet do të nënshkruajë me Jamie Vardy gjatë këtij afati kalimtar verorë, atëherë janë disa teori të cilat e mbështesin këtë transferim, madje, del të jetë edhe i qëlluar.
Lajmi se Arsene Wenger po kërkon transferimin e Vardyt ka zënë në befasi të gjithë – po, të gjithë, dhe jo pa arsye pasi të gjithë e njohin politikën e transferimeve që ndjek trajneri francez i topçinjve me transferimin e futbollistëve të rinj në moshë.
Ndoshta një ndryshim i qasjes është ajo që i duhet Arsenalit, me Vardyn ata do të kenë diçka ndryshe.
Pse Vardy është një transferim i qëlluar për Arsenalin?
Vardy shënon gola, Arsenalit i duhet një golashënues
Logjika është e thjeshtë: Arsenali ka kohë që e kërkon një sulmues që mund të shënojë mbi 20 gola në sezon. Wenger ishte arsyetuar se nuk ka futbollistë sulmues tipik të lirë në treg, por me Vardyn ata e kanë gjetur një të tillë, shkruan gazeta britanike The Telegraph.
Ai shënoi 24 gola në Premier League vitin e kaluar, një më pak se top golashënuesi Harry Kane, raporton Insajderi.
Sipas statistikave, klubi nga Londra veriore ka humbur më shumë raste se sa cilado skuadër tjetër në ligën angleze. Vendosja e një sulmuesi si Vardy në sulm do të ndryshonte shumë gjëra. E thjeshtë.
Anglezi do t’i ofronte Arsenalit një gjë që i mungon
Jamie Vardy tregoi se është më shumë se vetëm një golashënues, gjatë këtij sezoni që lamë pas. Ai është i papërmbajtshëm në zonën e 16-metërshit, duke arritur të fitojë një numër penaltish.
“Vardy ka fituar më shumë penalti (7), se sa secili futbollist tjetër në Premier League”, shkruan OptaJoe, sajti britanik i statistikave të futbollit.
Arsenali ka pasur një numër të zbehtë të penaltive – ndoshta edhe mungesa e Theo Walcott dhe Danny Welbeck për një kohë të gjatë ka ndikuar. Por, me Vardyn dhe shpejtësinë e tij, do ketë më shumë gjuajtje nga pika e bardhë e penaltisë.
Mosha është vetëm një numër
Vardy doli në skenë mjaft vonë. Ai u bë i njohur në vitet e tij të pjekurisë si futbollist, madje si i ri ai ishte përjashtuar nga skuadra e Sheffield Wednesday.
Pra, fakti se ai është 29-vjeçar – një vit më i ri se Wayne Rooney – nuk përbën shumë rëndësi. Ai është në pikën më të lartë të karrierës, dhe kjo pritet të vazhdojë edhe për disa vite.
Një shembull tjetër tek Arsenali është edhe Ian Wright. Sulmuesi anglez ishte transferuar në klubin londinez në një moshë pak a shumë të njëjtë me këtë të Vardyt dhe arriti të bëhej golashënuesi rekordmen në klub. Në këtë mënyrë edhe blerja e ish-futbollistit të Leicesterit për 20 milionë paund nuk është gabim. /Insajderi.com