Tre dëshmitarë s’do të paraqiten fizikisht në gjyq në gjykimin ndaj Pjetër Shalës – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Tre dëshmitarë s’do të paraqiten fizikisht në gjyq në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

    Insajderi
    22 April 2023 - 08:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Tre dëshmitarë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës do të japin dëshmitë e tyre përmes video-lidhjes. Autorizimi është dhënë nga trupi gjykues i cili ka urdhëruar Zyrën Administrative që të bëjë përgatitjet e nevojshme për respektimin e masave mbrojtëse. Gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK) do të vazhdojë nga 1 deri më 5 maj.

    Sipas gjykatës, dhënia e dëshmisë përmes video-lidhjes do t’u mundësojë dëshmitarëve të flasin pa ankth.

    Trupi gjykues ka vlerësuar që në këtë mënyrë do të përmirësohet cilësia e dëshmisë së tyre.

    “Në çështjen gjyqësore Pjetër Shala, më 13 prill, Trupi Gjykues autorizoi dhënien e dëshmisë nga tre dëshmitarë përmes video-lidhjes. Trupi Gjykues konstatoi se teknologjia ekzistuese mundëson që dëshmitarët të pyeten me të njëjtat kushte si në sallën e gjyqit dhe do t’u mundësojë këtyre dëshmitarëve që të dëshmojnë pa ankth, çka do të përmirësojë cilësinë e dëshmisë së tyre dhe do të jetë në të mirë të mirëqenies së tyre fizike dhe psikologjike”, ka thënë Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara.

    Më 14 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar(ZPS) ka dorëzuar versionin publik të redaktuar të dosjes paraprake të saj.

    “Trupi Gjykues urdhëroi Zyrën Administrative të bëjë përgatitjet e nevojshme për të siguruar respektimin e masave mbrojtëse për dëshmitarët”, ka thënë Doyle.

    Në gjykimin kundër Pjetër Shalës deri tani janë dëgjuar katër dëshmitarë të ZPS-së, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

    Dëshmitaret kanë pretenduar se familjari i tyre ishte kidnapuar dhe mbajtur për gati dy javë në një fabrikë metali në Kukës.

    Në krejt këtë, ata kanë thënë se ishte i përfshirë Pjetër Shala, i cili aktualisht ndodhet në bankën e të akuzuarit.

    Ai po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës./Tëvë1


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark