Tre persona mbetën të plagosur mesditën e së premtes në dalje të qytetit të Elbasanit. Ngjarja ndodhi në një lokal pranë ish-Kombinatit Metalurgjik, ndërsa zyrtarisht policia vendore konfirmoi se shkak është bërë një konfikt i vjetër mes personave të përfshirë.
Të plagosur kanë mbetur vëllezërit K. dhe H. Gjini, si dhe shtetasi H. Copja, me të cilin njëri prej tyre është përfshirë fillimisht në konflikt.
Tre personat e plagosur u dërguan në spital dhe mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Njëri prej tyre ka marrë plumb në krah, tjetri në këmbë, ndërsa personi i tretë është plagosur me mjete të forta.
Vëllezërit Gjini rezultojnë rezidentë në Angli, ku dyshohet se janë përfshirë në aktivitete të paligjshme si trafik droge, ndaj dhe hetimet e policisë janë fokusuar në këtë drejtim.
Policia ka shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, ndërkohë që po punohet për ndalimin e autorëve të tjerë të përfshirë. Të shtënat me armë shkaktuan panik për disa minuta në këtë aks, ndërsa në hyrjet e daljet e Elbasanit policia ngriti postblloqe duke ushtruar kontrolle./TCh