
Tre profesorë të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë e kanë paditur institucionin, duke e cilësuar si të kundërligjshëm dhe të motivuar politikisht vendimin e Këshillit Drejtues për ta shfuqizuar zgjedhjen e katër anëtarëve të rinj në këtë këshill.
Në mbledhjen e Senatit të datës 1 korrik, si anëtarë me mandat 3-vjeçar të Këshillit Drejtues u zgjodhën profesorët Hajrija Shkrijelj, Arsim Kelmendi, Berat Aqifi dhe Valdrin Misiri. Vetëm një ditë më pas, Këshilli Drejtues, nën kryesimin e Emine Abdyli-Pozharit, vendosi ta anulonte këtë vendim me arsyetimin se katër anëtarët ishin zgjedhur nga përbërja e re e Senatit, së cilës nuk i fillon mandati para 1 tetorit, kur nis viti akademik.
Në padinë e profesorëve Shkrijelj, Misiri dhe Aqifi theksohet se Këshilli Drejtues nuk ka kompetenca për t’i shfuqizuar vendimet e Senatit dhe se vendimi është marrë pa kuorum të nevojshëm.
Sipas tyre, zgjedhjet për anëtarët e KD-së janë organizuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor i universitetit, i cili pas përmbylljes së procesit ka konstatuar se gjithçka ka përfunduar me sukses. Ata shtojnë se Senati është organi që i zgjedh anëtarët e Këshillit Drejtues dhe jo e kundërta, ndërsa vendimi i kryesueses së KD-së, marrë në mungesë të kuorumit dhe me përfshirjen e anëtarëve me konflikt interesi, përbën tejkalim të kompetencës dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në një përgjigje për KOHËN, kryesuesja e Këshillit Drejtues, Emine Abdyli-Pozhari, ka mohuar se ky organ i ka tejkaluar kompetencat.
Duke thënë se vendimi është marrë për ta ruajtur ligjshmërinë, pasi sipas Statutit dhe opinionit të MASHTI-t, Senati në përbërje të re nuk ka mandat para datës 1 tetor. Ajo ka sqaruar se në mbledhjen e datës 2 korrik kanë marrë pjesë tetë nga nëntë anëtarët e KD-së, përfshirë rektorin, i cili nuk ka të drejtë vote. Në momentin e votimit, tre anëtarë me të drejtë vote janë përjashtuar për shkak të konfliktit të interesit, ndërsa nga pesë anëtarët e mbetur, katër kanë votuar – duke përmbushur minimumin e kërkuar prej katër anëtarësh me të drejtë vote për vendimmarrje valide.
E profesori Valdrin Misiri ka vlerësuar se këto veprime përbëjnë ndërhyrje të rëndë dhe, sipas tij, të pajustifikueshme në një proces demokratik.
“Vendimi i datës 2 korrik është qartësisht i kundërligjshëm dhe në kundërshtim me statutin e UHZ-së. Kryesuesja e KD-së, znj. Abdyli, ka ndërmarrë hapa të paligjshëm duke e shfuqizuar, pa të drejtë dhe pa rend dite, vendimin për komisionin profesional për zgjedhjen e rektorit, si dhe zgjedhjen e katër anëtarëve të rinj të KD-së nga Senati. Ky veprim përfaqëson ndërhyrje të drejtpërdrejtë në një proces zgjedhor tashmë të përfunduar, duke e shkelur autonominë institucionale dhe vullnetin e organeve zgjedhore, ka thënë Misiri. “Këto veprime janë tërësisht të paarsyeshme dhe znj. Abdyli duhet të japë llogari për to para organeve përgjegjëse”.
Abdyli-Pozhari për vendimin është thirrur edhe në opinionin e MASHTI-t, ndonëse ai ishte lëshuar 13 ditë pasi është marrë vendimi nga Këshilli Drejtues.
MASHTI, përmes një përgjigjeje, ka konfirmuar se opinioni ligjor është lëshuar më 15 korrik. Çështja tashmë ndodhet në gjykatë, ku pritet të shqyrtohet ligjshmëria e veprimeve të Këshillit Drejtues.