
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në një varg vjedhjesh të rënda në Gjakovë.
Sipas njoftimit, Njësia e Hetimeve të Stacionit Policor në Gjakovë ka identifikuar dhe arrestuar sot, më 29 korrik 2025, tre persona – dy të rritur dhe një të mitur – me inicialet V.B. dhe I.C., të cilët dyshohen për përfshirje në nëntë raste të vjedhjeve.
Sipas policisë, cak i këtyre vjedhjeve ishin kabllot elektrike dhe pajisjet e punës në objekte të ndryshme në ndërtim e sipër. Dëmi material i raportuar është i konsiderueshëm.
Me vendim të prokurorit kompetent, të dyshuarit janë ndaluar në mbajtje dhe ndaj tyre është iniciuar procedurë për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe zbardhjen e veprave penale, si dhe në ofrimin e sigurisë për qytetarët.