Në projektin e tij for Hanna, Future Stories From the Past (për Hanna-n, Tregime të së Ardhmes nga e Kaluara), fotografi dokumentar holandez Willem Poelstra (1956) i tregon efektet afatgjata të luftës në Kosovë. Pas pesë viteve punë ai kthehet në Kosovë për të ekspozuar projektin e përfunduar për herë të parë. Ekspozita e madhe në ambient të hapur do të hapet me 7 Tetor para ndërtesës së Kuvendit në Prishtinë. Me këtë rast do të organizohet edhe një debat.
Gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë si dhe pas ngjarjeve të mëparshme, qindra mijëra njerëz humbën jetën, u lënduan, apo ju desh të linin shtëpitë e tyre. Konflikti përfundoi vetëm pas bombardimeve të NATO-s. Kosova mbetet e ndarë edhe sot. Serbët dhe shqiptarët jetojnë në anë plotësisht të kundërta nga njëri-tjetri.
Poelstra e përdori historinë e familjes së tij si pikënisje për këtë projekt. Jetërat e prindërve të tij u ndikuan jashtëzakonisht shumë nga Lufta e Dytë Botërore. Nëna e tij hebraike Hanna ishte fshehur dhe humbi qindra anëtarë të famijes në Auschwitz, Sobibor dhe kampe tjera të përqëndrimit. Nëna e Hanna-s mbijetoi, por u burgos në kampin holandez të përqëndrimit, Westerbork.
Në anën tjetër, babai i tij Albert udhëtoi për në Berlin me vullnet të lirë. Atje punoi për Schichau-Werke, kompani gjermane e lokomotivave që luajti rol të rëndësishëm në ndërtimin e trenave që transportonin hebraikët dhe kundërshtarët tjerë të nazistëve nëpër kampe në tërë Evropën.
Poelstra e kuptoi këtë histori vetëm pasi i vdiq babai në vitin 2011 dhe i la një kuti me dokumente historike dhe fotografi. Gjeti poashtu të shkruar edhe trungun familjar të nënës së tij e cila kishte vdekur vite më parë. Hulumtuesit në qendrën memoriale të Westerbork-ut i përcollën gjurmët dhe hartuan listë të qindra anëtarëve tjerë të familjes të cilët ishin vrarë ne kampet e përqendrimit.
Hanna dhe Albert u takuan menjëherë pas luftës. U dashuruan dhe martuan, përkundër kundërshtimeve të miqve dhe familjes së Hanna-s. Çifti arriti ta lë të kaluarën të jetë e kaluar dhe të shikojë drejt së ardhmes. Willem Poelstra përdori shembuj dhe detaje nga historia e tyre për ta kuptuar historinë e vonshme të Kosovës dhe mënyrën se si njerëzit ballafaqohen me traumat e tyre./Insajderi.com