×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Tregimet e shkrimtarit kosovar përkthehen në italisht dhe gjermanisht

    Insajderi
    28 April 2016 - 20:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Tregimet “Letra e një ushtari të huaj” dhe “Kthimi i babait” të Adil Ollurit, pjesë të librit me tregime “Shumë rrugë dhe një rënie”, janë përkthyer në dy gjuhë të ndryshme duke u botuar në dy revista prestigjioze.

    Revista letrare austriake “Lichtungen”, ka botuar tregimin “Kthimi i babait”, i përkthyer në gjuhën gjermane nga Florian Kienzle, ndërsa “Letra e një ushtari të huaj” është botuar në revistën e njohur italiane “Patria Letteratura” me përkthim të Iris Hajdari.

    “‘Letra e një ushtari të huaj’ është tregimi im i dytë, pas tregimit ‘Kthimi i babait’, që po përkthehet në gjuhë të huaj dhe po gjen vend në revista të përbotshme letrare”, ka thënë Olluri.

    “Lichtungen” është njëra nga revistat më të njohura në Austria, që botohet në qytetin e Gracit.

    Libri me tregime “Shumë rrugë dhe një rënie”, është botuar në vitin 2013.

    “Po aq sa përkthimi dhe botimi, një kënaqësi të veçantë po më sjell edhe kjo mënyrë e dërgesës. Më ngjanë në një dhuratë të çmueshme, që më gëzon pamasë mua si autor i këtij tregimi”, ka thënë Olluri.

    Ndërsa revista “Patria Letteratura” është njëra prej më të njohurave në fushën e letërsisë Itali.

    Të dy tregimet janë vlerësuar nga kritika letrare në Kosovë. Studiuesi Ragip Sylaj e ka cilësuar “Letrën…” si një tregim të realizuar me mjeshtri, duke shprehur dramën tronditëse, të kthimit të eshtrave të një babai, në fakt të një ushtari të lirisë”.

    “Tregimi, i rrëfyer në veten e dytë, shpërfaq mallëngjim e respekt për një krijesë që ishte persekutuar por edhe flijuar për dinjitetin e të tjerëve, pa e shijuar kurrë lirinë…”, ka shkruar Sylaj.

    Ndërsa Fatmir Sulejmani, studiues i letërsisë e ka quajtur tregimin e Ollurit “një mrekulli tronditëse”, teksa Bajram Karabolli, përkthyes letrar dhe njohës i letërsisë kishte shkruar se ky tregim është “emocionues dhe tronditës”.

    “Letra…” sipas shkrimtares shqiptare Enkeleda Ristani, është kuminacioni i librit të Ollurit “Kthimi i babait”, i cili “godet fort, si një vaj i shtruar prej burri, që më shumë është i zoti ta ndërtojë atë (vajin pra) brenda vetes, aty ku nuk mundet të depërtojë askush”, ndërsa sipas kritikes letrare Serafina Lajçi “Kthimi i babait” mbetet tregimi më prekës i librit te Adil Ollurit. /Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark