Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit Ilir Avdullahu, për përfshirje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza. Ilir Avdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, u arrestua më 16 korrik 2023, pasi për vite me radhë kërkohej si i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës. Pas tre muajve ai ishte liruar nga paraburgimi pasi kishte deponuar 100 mijë euro dorëzan.
Avokati i Ilir Abdullahut, asaj kohe kishte treguar se klienti i tij, shumicën e kohës nga 15 vitet që ka qenë në kërkim, i kishte kaluar në Prishtinë.
Ilir Abdullahu, që në gjithë kryeqytetin njihet si “Liza”, ishte në arrati që prej ditës kur ndodhi rasti tragjik.
Në gjithë këto vite, avokati i tij thotë se “Liza” qëndroi në vendlindje.
“Ky nuk ka pasur fare dokument të udhëtimit që të udhëtoj e të arratiset e të dal jashtë Kosovës. Ndoshta ka mujtë me shku deri në Shqipëri që nuk ka nevojë pasaportë, në sezonin e pushimeve ose në Mal të Zi, përndryshe ai në arrati konsiderohet sipas shkresave, por ai ka qenë në shtëpi të vet”, kishte deklaruar për media Ramë Dreshaj – Avokat i Ilir Abdullahut.
Tutje ai kishte thënë se për shkak që ishte në kërkim, Abdullahu për 15 vjet nuk u interesua që të pajisej me letërnjoftim.
“Është e vërtetë, vetëm kur ka ra në burg është interesu për me nxjerrë letërnjoftimin. Ai e ka ditë që është duke u lypë, nuk është që se ka ditë”, kishte shtuar avokat i Ilir Abdullahut.
E, në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës shihet se Abdullahu deponoi në arkën e gjykatës 100 mijë euro. Këtë veprim, gjykata e ka konsideruar si një garanci se i pandehuri nuk do të arratiset përsëri.
Vendimi nuk është pritur aspak mirë nga babai i Triumf Rizës, Shefqet Riza.
“S’kam si e kualifikoj vetëm si çështje skandaloze. Prandaj them se janë këto mundësi për të ndikuar organet e drejtësisë, se kjo nuk shkon kështu”, ka theksuar Shefqet Riza – Babai i Triumg Rizës.
Avokati Dreshaj tregon se Abdullahu në të kaluarën ka jetuar një jetë sikur të gjithë të tjerët.
“Tregtar është, tregtar… Të ardhura mujore rreth gjashtë mijë euro. Po, tregtar është, kështu është. Do të thotë nuk është ky bash ashtu siç po mendon dikush me e pagu, e me i thanë pastaj kryj vepra. Ky e ka jetën e vet”, kishte thënë avokat i Ilir Abdullahut.
Ilir Avdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, u arrestua më 16 korrik 2023, pasi për vite me radhë kërkohej si i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës. Ndaj tij është ngritur aktakuzë për përfshirje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza.
Për Triumf Rizën është duke u gjykuar edhe Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit. Sekiraqa më 3 maj 2024 u dënua me 25 vjet burgim. I njëjti gjendet në arrati.