Shkruajnë: Emmanuel Bonne, Jens Plotner dhe Francesco Maria Talo
Liderët tonë, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgina Meloni, na kanë ngarkuar me detyrën që të mbështesim Përfaqësuesin e Lartë të BE’së, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin Special të BE’së, Miroslav Lajçak, në arritjen e një hapi madhor drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Pse është kaq e rëndësishme kjo për vendet tona? Dhe, pse po angazhohemi tash në një dialog në të cilin të dyja palët kanë ngecur për kaq shumë vite?
Arsyeja është se e ardhmja e Serbisë dhe Kosovës, si dhe e tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor, është në Bashkimin Evropian, dhe ne duam t’ju mbështesim juve në rrugën e anëtarësimit në Union.
Evropa është në një udhëkryq. Me sulmin e saj brutal ndaj Ukrainës fqinje, Rusia ka kthyer luftën e një shkalleje të gjerë në kontinentin tonë. Pjesë e kundërpërgjigjes sonë ndaj këtij sulmi të papranueshëm në rendin e sigurisë evropiane është të punojmë edhe me më shumë përkushtim në fuqizimin dhe gjithpërfshirjen e shtëpisë sonë evropiane. Për gjashtëshen e Ballkanit që ka nisur integrimin në Evropë, neve na duhet të bëjmë përpjekje shtesë për të hequr pengesat nga e kaluara që është parandaluar.
Pengesa më e dukshme është çështja e pazgjidhur e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e cila përbën edhe rrezik të sigurisë për Evropën. Ngjarjet që pamë fundvitin e kaluar na kanë shqetësuar shumë. Bllokada, dhuna, kërcënimet dhe retorika nacionaliste kanë ndërlikuar në masë të madhe jetën e përditshme të qytetarëve në veriun e Kosovës.
Destabiliteti i tillë ku ne vazhdimisht jemi në prag të përshkallëzimit në dhunë duhet të merr fund. Duhet të merr fund sepse qytetarët e Evropës me të drejtë pyesin se si Serbia dhe Kosova do të ulet në të njëjtën tryezë në Bruksel si miq dhe partnerë kur të jenë anëtarë të Bashkimit Evorpian? Si mund t’i bindim qytetarët që mbështetja ndaj Serbisë dhe Kosovës është ide e mirë?
Kjo situatë duhet të merr fund sepse investitorët nga vendet tona shohin lajmet dhe mendojnë se sa ia vlen të investohet në këtë rajon. Çfarë t’u themi ne atyre nëse ka shkëndija për një konflikt të ri?
Por, mbi të gjitha, kjo situatë duhet të merr fund sepse qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë meritojnë të ardhme më të mirë. Një të ardhme ku kontestimet që paralizojnë të dy vendet më në fund kapërcehen. Një e ardhme që shtron rrugën për marrëdhënie fqinjësore, bashkëpunim rajonal dhe një treg të bashkuar. Dhe, kjo e ardhme, në fund, të shtrojë rrugën për realizimin e premtimit që i është dhënë të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian si partnerë të barabartë menjëherë sapo të përmbushin kriteret. Mundësia për t’u nisur drejt kësaj të ardhme është tani.
Prandaj ne edhe propozuam një draft-marrëveshje të re dhe të qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila u miratua nga të gjitha shtetet e BE-së, e cila aktivisht ka mbështetjen e liderëve tanë dhe të partnerëve amerikanë.
Ne mirëpresim sinjalet e fuqishme dhe inkurajuese të Presidentit Vuçiq dhe Kryeministrit Kurti që dërguan nga Brukseli më 27 shkurt kur pranuan tekstin e draftit. Kjo marrëveshje tash duhet të jetësohet sa më parë që të jetë e mundur me krijimin e një udhërrëfyesi konsistent për zbatimin e saj.
Qëllimi i negociatave kyçe të ardhshme është jo të komplikohet ajo për të cilën është arritur pajtim, por të inkurajohen hapa konkretë drejt realizimit të saj. Atë çfarë të dyja palët duhet të shmangin është ri-intepretimi i fjalës së dhënë, sepse duke bërë këtë ata do të shpërdoronin këtë mundësi unike dhe të rrezikonin bllokimin e rrugës drejt anëtarësimit në BE.
Kosova duhet të përmbush premtimin e saj për të mbrojtur komunitetin serb, duke marrë masa në themelimin e Asociacionit të Komunave me popullatë shumice serbe dhe të garantojë mbrojtje të nivelit të lartë për trashëgiminë kulturore dhe fetare serbe.
Serbia duhet ta pranojë faktin se Kosova është një vend fqinj që ka perspektivën evropiane të saj dhe vendin e vet në komunitetin ndërkombëtar.
Koha nuk është në anën tonë. Dhe edhe më me rëndësi, koha nuk është në favor as të Kosovës dhe as të Serbisë. Duhet të qëndrojmë në nivel të detyrës dhe përgjegjësisë, të vetëdijshëm për imperativin e momentit të dhënë. Dështimi do të kishte pasoja.
Fakti është se kërkohet urti dhe lidership nga të dyja palët, si dhe qasje e përgjegjshme të të gjithë aktorëve politikë në Serbi dhe Kosovë, dhe është e mundshme. Tash është koha e duhur! Si miq të Kosovës dhe si miq të Serbisë, ne premtojmë t’ju mbështesim në rrugën e juaj drejt Bashkimit Evropian./Insajderi/