Një burrë në Pakistan thuhet se ka vrarë gruan e tij, vjehrrën dhe një kushërirë, pas dyshimeve se ato kishin pasur lidhje me një burrë tjetër, njofton policia.
Vrasjet janë bërë me ndihmën e dy pjesëmarrësve të tjerë në zonën Balochni, në provincën lindore të Punjabit, thotë policia.
“Tri gra janë vrarë për çështje të nderit, pasi i akuzuari dyshonte se ato kishin lidhje tjera”, ka thënë shefi i stacionit policor lokal, Mushtaq Ahmad.
Të gjithë të dyshuarit janë në arrati, ndërsa policia thotë se kanë nisur një operacion për kapjen e tyre.
Të ashtuquajturat vrasje nderi nga të afërmit meshkuj në Pakistan janë shumë të përhapura, dhe në shumicën e rasteve shënjestrohen femrat për të cilat dyshohet se kanë lidhje jashtë martesore, apo ato që martohen pa miratimin e familjeve të tyre.
Javën e kaluar, policia arrestoi më shumë se dhjetë burra në provincën Khyber-Pakhtunkhva, pasi pleqtë e fshatit autorizuan vrasjen e një vajze adoleshente, e cila thuhet se i kishte ndihmuar një shoqes së saj për të ikur me një djalë e për t’u martuar me të.