
Presidenti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Behxhet Pacolli ka bindjes se pas ngjarjeve të sotme në Kuvend, nuk ka mbetur më asnjë shpresë se pozita dhe opozita në Kosovë do të gjejnë një zgjidhje të përbashkët.
“Konsideroj se edhe ai filli i hollë që ka mundur të jetë lidhshmëria mes opozitës dhe pozitës definitivisht është këputur dhe duhet të gjendet zgjidhje urgjente”, shkroi Pacolli, në një postim në Facebook.
Ai ka kritikuar përfaqësuesit e popullit në Parlament, për mungesë të ndjenjave për popullin dhe shtetin tyre, dhe kësisoj vendit i ka mbetur të vendosë mes tri opsioneve.
“Zgjedhje të parakohshme në fillim te vitit 2017. Opozita të kthehet në Kuvend dhe të bashkëpunojë në mënyrë që proceset të shkojnë përpara. Gjatë këtij viti të përkryhen reforma zgjedhore dhe ligji për Presidentin”, ka shkruar Pacolli.
Sipas tij, kjo do të ishte “një zgjidhje e ‘mesit të artë’ që do t’i konvenonte të gjithëve”.