Tre vetura janë djegur në garazhën e një ndërtese në lagjen Emshir në Prishtinë, mbrëmë pas mesnate.
Këtë incident e ka konfirmuar për Insajderin zëdhënësi i policisë rajonale të Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 01:15, është pranuar informata se disa vetura janë përfshirë nga zjarri në bodrumin e një objekti në rrugën “Ali Vitija” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin, si dhe janë ndërmarrë veprime të tjera për të parandaluar çfarëdo lloj rreziku. Përveç dëmeve materiale, për shkak të tymit të krijuar, panikut ose arsye të tjera të ngjashme, disa persona kanë marrë trajtimin mjekësor”, ka thënë Borovci.
Ai shtoi se aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit po vijon punën e saj me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërsa komandanti i zjarrfikësve në kryeqytet, Malë Gashi ka bërë të ditur se zjarri ka depërtuar brenda ndërtesës duke shkaktuar panik tek banorët.
“30 prej tyre, janë evakuuar dhe u është ofruar ndihma tek Urgjenca Mjekësore”, tha Gashi. /Insajderi.org