Pranojnë fajësinë dy të pandehurit të cilët së bashku me ish-drejtorin e Marketingut në Telekom dhe të tjerët po akuzohen për korrupsion - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Pranojnë fajësinë dy të pandehurit të cilët së bashku me ish-drejtorin e Marketingut në Telekom dhe të tjerët po akuzohen për korrupsion

    Insajderi
    05 November 2024 - 16:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Të pandehurit, Denis Ceman dhe Gazmend Hyseni kanë pranuar fajësinë ku së bashku me ish-drejtorin e Marketingut në Telekom, Trim Musliun dhe katër të tjerë po akuzohen për korrupsion e vepra tjera penale.

    Aktakuza u ngrit më 26 qershor të këtij viti, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ndërsa të akuzuar janë: Trim Musliu, Denis Ceman, Kreshnik Musliu, Alban Limani, Fatbardh Ajvazi dhe Gazmend Hyseni.

    Në dispozitivin e parë të aktakuzës thuhet se Trim Musliu nga data 21 janar 2019 e deri më 24 prill 2019 në cilësi të drejtorit Marketigu në Telekomin e Kosovë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm përvetëson pasurinë të Telekomit të Kosovës, konkretisht duke lidhur kontratë me “Zone Mobile” për furnizim me 239 telefona mobil, ku 153 prej tyre i përvetëson për vete, ndërkaq në furnizimin e dytë prej 16 telefonave mobil përvetëson 11 prej tyre duke përvetësuar në total 163 telefona mobil në vlerën prej 164 mijë e 847 euro e 83 centë.

    Ndërkaq, dispozitivi i tretë i aktakuzës ngarkon Trim Musliun, Kreshnik Musliu dhe Denis Ceman, ku thuhet se të njëjtit si anëtarë të grupit nga 1 nëntori 2020 e deri më 31 dhjetor 202  në bashkëkryerje përpilojnë dokumentacion të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të atij si origjinal, raporton Betimi për Drejtësi.

    Aty thuhet se i akuzuari Trim Musliu me të kuptuar se është duke u hetuar kërkon nga vëllai i tij Kreshniku që të përpilojë dokumentacion të falsifikuar, ku Kreshniku së bashku me të akuzuarin tjetër Denis shkojnë në Pejë dhe Istog duke prezantuar me logo të “Valës” te bizneset e ndryshme dhe i ftojnë të aplikojnë për përfitim të telefonave mobil, me ç’rast të akuzuarit  Kreshnik dhe Denis vulosin ofertat me vula të bizneseve dhe të njëjtat i dorëzojnë te i akuzuari tjetër Trim Musliu.

    Me të njëjtën formë, thuhet se veprojnë edhe me persona tjerë, mirëpo asnjëri nga qytetarët nuk pranojnë asnjë telefon mobil, me ç’rast dokumentacionin e vulosur me vulë të bizneseve Musliu e dorëzon në Postë Telekom dhe Policisë së Kosovë, me të vetmin qëllim që të ikë nga përgjegjësia penale.

    Në dispozitivin e pestë të aktakuzës ngarkohen Alban Limani dhe Fatbardh Ajvazi, të cilët nga data 21 janar 2019 e deri më 6 mars 2019 si pronarë të “Zone Mobile”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore paraqesin fakte të rreme dhe me vetëdije shkelin kushtet e përcaktuara në kontratë, ashtu që kishin liferuar mallra në kundërshtim me specifikat e paraqitura si në kontratë për furnizim  dhe liferuar telefonat pa origjinë dhe duke mos ofruar dëshmi për prejardhjen e mallrave pasi që sipas aktakuzës “Zone Mobile” nuk ka bërë blerje të brendshme dhe nuk ka importe nga shtetet tjera, e duke mashtruar kështu Telekomin e Kosovë se kanë kryer furnizimin me mallra në vlerën prej 229 mijë e 715 euro e 50 centë.

    Në dispozitivin e gjashtë, sërish ngarkohen Alban Limani dhe Fatbardh Ajvazi pasi që nga data 2 shtator 2019 e deri më 18 shtator 2019 si pronarë të “Zone Mobile”, Limani dhe menaxher Ajvazi, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm me rastin e lidhjes së kontratës për furnizim me pajisje: telefona mobil, usb, modema, me vetëdije kishin shkelur rregullat e prokurimit publik duke liferuar mallra në kundërshtim me specifikat e paraqitura si në kontratën e lidhur me Telekomin e Kosovës.

    Në dispozitivin e shtatë, thuhet se të akuzuarit Limani dhe Ajvazi gjatë muajit prill 2021 si pronarë të “Zone Mobile”, duke paraqitur fakte të rreme kryejnë mashtrim kundrejt Telekomit të Kosovës për kontratën lidhur me furnizimin me pajise, telefona, usb, modema, me ç’rast me të kuptuar se janë duke u hetuar, në marrëveshje me të akuzuarin Gazmend Hyseni përpilojnë dokumentacion të falsifikuar ku Hyseni lëshon fatura të rrejshme dhe se të njëjtat fatura Limani dhe Ajvazi i dorëzojnë në Administratën Tatimore të Kosovës, duke dëmtuar buxhetin e shtetit kështu në vlerën prej 68 mijë e 219 euro e 86 centë.

    Dhe në fund, dispozitivi i tetë i aktakuzës ngarkon Gazmend Hyseni se gjatë muajit prill si pronar i biznesit “Versacoop” dhe “Kopex” me qëllim të përfitimi të kundërligjshëm të dobisë pasurore lëshon dokument të rrejshëm për biznesin “Zone Mobile”, duke mashtruar kështu Telekomin e Kosovës për kontratën me furnizime me telefona mobil, usb, modema, e të cilat dokumente si fatura Limani dhe Ajvazi i dorëzojnë në ATK.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark