×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Triumfi i kinematografisë serbe në festivalet kosovare

    Insajderi
    27 August 2016 - 20:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kinematografia serbe ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm në festivalet e filmit në Kosovë. Së paku në tri festivalet më të rëndësishme të filmit në vend, atë të filmit dokumentar dhe të shkurtër në Prizren, Dokufest, atë të filmit në Prishtinë, Prifest dhe të animacionit në Pejë, Anibar.

    Në këto tri festivale, çmimi kryesor është ai në garën ballkanike për shkak se çmimi në kategorinë ndërkombëtare që e japin këto festivale nuk është  e kategorisë së njejtë që japin shumë festivale me renome në Evropë, prej Kanës në Berlinale.

    Triumfi i parë i filmave serb këtë vit në festivalet e Kosovës, ka ardhur në festivalin Ndërkombëtar të Filmit në kryeqytet, Prifest.

    honey
    Skenë nga filmi “Gruaja e mirë”, fitues në Prifest.

    Çmimi për filmin më të mirë në kategorinë ballkanike në PriFest të quajtur “Honey and Blood”, sivjet e ka fituar filmi me regji të regjisores serbe Mirjana Karanoviq.

    Bashkëprodhim i Serbisë me Bosnje e Hercogovinën dhe Kroacinë, filmi “Dobra Zena” (Gruaja e mirë) kryepersonazh ka Milenën e diagnostikuar me kancer, e cila në ndërkohë zbulon gjëra shumë të tmerrshme për të kaluarën e burrit të saj për të cilin kishte menduar se ishte burri ideal.

    Një tjetër film dokumentar i punuar nga regjisori serb, Ognjen Glavoniç, i titulluar “Deepth Tëo”, (Thellësia Dy) ka fituar cmimin për filmin më të mirë të Ballkanit, në Dokufest.

    deeptwo
    Skenë nga filmi dokumentar “Thellësia Dy”, fitues në Dokufest.

    Filmi dokumentar i regjisorit të ri serb flet për vitin 1999, kur NATO po bombardonte Jugosllavinë.

    Ai fokusohet në historinë e një kamioni me 53 trupa të vdekur që zhytet në Danub pranë kufirit me Rumaninë dhe asnjë hetim nuk ndërmerret dhe në anën tjetër në Suharekë policia serbe tubon fshatarët.

    Juria në përbërje të Eric Hynes, Marek Septimus, Maria Bonsanti ka vendosur që cmimin këtij filmi dokumentar t’ia jap për shkak se ka qenë i “përmbushur në aspektin kinematografik aq sa është shkatërrues moralisht”.

    Sipas tyre ky film vë shikuesin në pozitën edhe të reflektimit historik edhe të nëpërkëmbjes aktuale, dhe duke ofruar një “betejë të shtresuar, emocionale dhe intelektuale të cilën nuk do ta harrojmë shpejtë”.

    Por kolegu i Glavoniç, animatori Milosh Tomiq, ka bërë një krejt tjetër film, por që ka fituar në një tjetër festival, Anibar në Pejë.

    anibar

    Juria e përbërë nga Mihai Mitrica, Tomek Ducki, Anna Ida Orosz, Jean-Luc Slock, dhe Jiri Nedela ka vendosur ta shpallë fitues filmin nga Serbia.

    Filmi i tij i animuar “Of Slaves and Robots” (Skllavë dhe Robotë) që ilustron fjalimin e Radivoj Kašanin, një matematicient dhe profesor i famshëm i Universitetit të Beogradit, në të cilin fjalim profesori i vlerësuar dhe i pensionuar flet duke iu drejtuar studentëve të tij drejt një teme shumë të rëndësishme; si të mos bëhesh skllav dhe robot, ka fituar si filmi më i mirë Ballkanik në festivalin e animacionit Anibar, në Pejë.

    Insajderi ka marrë komentet e drejtuesve të këtyre tre festivaleve duke iu shtruar pyetjen se cila është arsyeja pse kinematografia serbe ka triumfuar në festivalet e tyre.

    Veton Nurkollari, drejtor artistik i Dokufest:

    Fakti që në tre festivalet kryesore të filmit në Kosovë çmimet kryesore në kategorinë Ballkanike i kanë shkuar filmave nga Serbia me siguri se flet për një cilësi të lartë të kinematografisë atje dhe në të njejtën kohë nuk është për tu habitur shumë, duke marrë parasysh edhe traditën e gjatë, të bujshme dhe të pandërprerë që kinematografia serbe e ka nga koha e ish-Jugosllavisë e deri më sot. Sa i perkët asaj se çka do të thotë për neve fakti që filmat serb i fitojnë çmimet në festivalet në Kosovë, mendoj se nuk ka asgjë të keqe aty dhe po ashtu mendoj se pasqyron guximin e selektorëve të festivaleve në Kosovë, guxim të cilin shpresoj edhe festivalet në Serbi ta kenë së shpejti me filmat kosovar.
    Ky sukses i filmave Serb nuk do të thotë se kinematografia serbe është me e zhvilluara në Ballkan. Kroacia është edhe me e zhvilluar dhe më e suksesshme se Serbia ndërsa Rumania është pa dyshim kinematografia më e zhvilluar në Ballkan.

    Vjosa Berisha, drejtoreshë e PriFest

    Festivalet ndërkombëtare të filmit kane juritë ndërkombëtare që vendosin për fituesit në kategoritë që ka ai festival. PriFest ka 3 kategori garuese, të filmit të gjate Evropian dhe Ballkanik, dhe ai i metrazhit të mesëm.  Pra, janë tri juri të ndryshme që marrin vendime plotësisht të pavarura. Kriteri ynë i vetëm i përzgjedhjes së filmave për shfaqje është kriteri artistik, pra të jetë film i mirë. Pastaj juria bënë punën e vet. Besojmë se në Ballkan janë kinematografitë Rumune dhe Kroate që janë lidere. Tjerat shtete mund të kenë suksese sporadike, por industritë filmike të këtyre dy shteteve ballkanike kane avansuar viteve të fundit.

    Vullnet Sanaja, drejtor i Anibar

    Fillimisht filmat nuk kane nacionalitet! Fakti që tre filma serb kanë fituar në tre festivale në Kosovë, mua më duket  më shumë si rastësi. Në rastin e festivalit Anibar, filmi që ka fituar, me të vërtetë ka një storie tepër interesante, edhe juria në festival ka vendosur t’ia ja jap çmimin. Ajo cfarë dua të potencoj është fakti se nga shumë biseda me regjisorë ndërkombëtarë, kanë dhënë kritika pozitive për festivalet në Kosovë të cilat si në asnjë festival tjetër rajonal pranojnë filma nga shtete me të cilat nuk kanë raporte të mira. Kjo që ndodhë në Kosovë, kurrë nuk kish ndodhur në Serbi dhe Kroaci./Insajderi.com

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark