
Fotografi kosovar Bujar Gashi është shpallur fitues i çmimit të parë në edicionin e pestë të ekspozitës ndërkombëtare “Mbro & Promovo”, me veprën e tij magjepsëse “Shteg, Lumi i Gashit, Tropojë”.
Ceremonia e hapjes u zhvillua në Qendrën e Artit “Agimi” në Tiranë, ku morën pjesë dhjetëra artistë nga Shqipëria dhe vendet frankofone, të cilët përmes fotografisë sollën në fokus trashëgiminë kulturore dhe natyrore shqiptare.
Fituesi u shpall pas një seleksionimi të kujdesshëm nga juria profesionale e përbërë nga emra të njohur të artit dhe fotografisë: Gent Shkullaku, Lara-Scarlett Gervais, Ornela Durmishaj, Wandrille Potez, Amélie Lombardini-Morin, Sara Gurabardhi dhe Ilda Mara.
Ky aktivitet, i organizuar nga shoqata ARGJIRO në kuadër të muajit të frankofonisë, synon të ndërgjegjësojë publikun mbi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të identitetit kulturor, duke i dhënë hapësirë të veçantë artistëve të rinj dhe profesionistëve.
Përkrahja e këtij edicioni u bë e mundur nga Ambasada e Francës në Shqipëri, Agjencia e Industrisë Krijuese dhe Qendra e Artit “Agimi”.
“Mbro & Promovo V” do të qëndrojë e hapur në Tiranë, në Qendrën e Artit “Agimi” deri më 19 shtator 2025, ndërsa në muajin tetor do të zhvendoset në Parkun Arkeologjik Kombëtar Apolonia, ku do të prezantohet në hapësirën e Trapezarisë.