
Një rrufe ka goditur futbollin francez. Presidenti i Olympique Lyon, John Textor, dhe drejtori i futbollit, Mickael Gerlinger, u morën në pyetje këtë të martë nga Drejtoria Kombëtare e Kontrollit dhe Menaxhimit (DNCG), me qëllim shmangien e zbritjes administrative në Ligue 2, vendim ky i marrë paraprakisht më 15 nëntor.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të drejtuesve të klubit, DNCG vendosi të konfirmojë përfundimisht rënien e Lyon në kategorinë e dytë të futbollit francez, në përputhje me Nenin 11 të rregullores së saj.
Olympique Lyonnais ka të drejtën të apelojë këtë vendim në instancat përkatëse.
Zbritja e Lyon si masë paraprake gjatë dimrit erdhi si pasojë e mungesës së garancive financiare dhe një borxhi të konsiderueshëm prej 175 milionë eurosh.
Klubi ishte në vëzhgim të rreptë nga organi mbikëqyrës i financave të futbollit profesionist francez dhe përballej me rrezikun e konfirmimit të këtij sanksioni të rëndë.
Vetëm katër ditë para vendimit, pronari i Lyonit, John Textor, shfaqi siguri në një intervistë për L’Équipe.
“Kemi bërë investime të ndryshme në javët e fundit. Gjithçka është mirë financiarisht”, deklaroi ai.
Por duket se situata financiare e klubit është më e ndërlikuar nga sa u paraqit publikisht, dhe vendimi i DNCG tashmë rrezikon të ndryshojë rrënjësisht të ardhmen e Olympique Lyonnais.