
Negociatorët që punojnë për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë kanë diskutuar tashmë “ndarjen e aseteve të caktuara”, tha të dielën Presidenti i SHBA’së Donald Trump ndërsa njoftoi se planifikonte të fliste me homologun rus Vladimir Putin të martën.
Komentet e Trump vijnë pasi ai njoftoi javën e kaluar se Ukraina pranoi propozimin amerikan për armëpushim 30-ditor, duke e vendosur topin në fushën e Rusisë për pranimin e propozimit të tij për t’i dhënë fund luftës me shpejtësi, raporton CNN, përcjell Insajderi.
“Ne po ecim shumë mirë, mendoj, me Rusinë. Do të shohim nëse kemi diçka për të shpallur ndoshta deri të martën, unë do të flas me Presidentin Putin të martën“, u tha ai gazetarëve në bordin e Air Force One gjatë një fluturimi për në Shtëpinë e Bardhë pas fundjavës në Mar-a-Lago.
“Shumë punë është bërë gjatë fundjavës, ne duam të shohim nëse mund ta çojmë deri në fund luftën“, shtoi Trump.
“Ndoshta mundemi, ndoshta nuk mundemi, por mendoj se kemi një shans shumë të mirë”.
Trump tha se negociatorët kishin përcaktuar tashmë disa tema për diskutim.
“Do të flasim për toka. Shumë toka janë shumë më ndryshe para se të ndodhte lufta, siç e dini. Do të flasim për tokat, do të flasim për termocentralet, këto janë çështjet e mëdha”, shtoi i pari i SHBA’së.
“Por unë mendoj se kemi shumë prej tyre të diskutuara tashmë, shumë, nga të dyja palët, Ukraina dhe Rusia. Ne tashmë do tëflasim për këtë – ndarjen e aseteve të caktuara”. /Insajderi.org/