
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është zotuar se Irani dhe Izraeli “do të bëjnë një marrëveshje” për të ndaluar konfliktin mes tyre, duke këmbëngulur se “po zhvillohen shumë thirrje dhe takime” për të bindur të dyja palët të ndalojnë luftimet.
“Irani dhe Izraeli duhet të bëjnë një marrëveshje dhe do të bëjnë një marrëveshje, ashtu siç i bëra unë Indisë dhe Pakistanit të bënin”, shkroi Trump në Truth Social të dielën, sipas CNN.
Ai përmendi gjithashtu “armiqësinë e gjatë midis Kosovës dhe Serbisë”, për të cilin Trump pretendoi se e ndali atë.
“Gjithashtu, gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po përballeshin ashpër, siç kanë bërë për shumë dekada, dhe ky konflikt i gjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË. Unë e ndalova atë (Biden ka dëmtuar perspektivat afatgjata me disa vendime shumë idiote, por do ta rregulloj përsëri)”, deklaroi ndër të tjera ai.
“Po kështu, do të kemi PAQE, së shpejti, midis Izraelit dhe Iranit! Shumë thirrje dhe takime po zhvillohen tani”, shkroi Trump.
“Unë bëj shumë dhe nuk marr kurrë merita për asgjë, por kjo është në rregull, POPULLI e kupton. BËJENI LINDJEN E MESME TË MADHE PËRSËRI!”, përfundon postimi i tij. /Insajderi.org/