Presidenti i ShBA’së, Donald Trump duke folur në mëngjesin Kombëtar të Lutjeve në Capitol Hill, në Uashington, ka deklaruar se “duhet ta kthejmë fenë”.
“Duhet ta kthejmë atë [fenë] shumë më të fortë. Është njëri nga problemet më të mëdha që i kemi pasur gjatë periudhës së fundit goxha të gjatë” – deklaroi Trump, raporton CNN.
Në pjesën e fundit të fjalimit, presidenti amerikan gjithashtu tha se nuk beson që dikush mund të jetë i lumtur pa besim.
“Unë vërtet besoj që nuk mund të jeni të lumtur pa fe, pa atë besim. Unë vërtet e besoj këtë, thjesht nuk shoh se si mund të jeni të lumtur pa fe” – tha Trump.
“Prandaj, le ta kthejmë fenë, le ta kthejmë Zotin në jetët tona” – tha Trumpi.
Trumpi gjithashtu e kujtoi përpjekjen për vrasjen e tij vitin e kaluar në Pensilvani, për të cilën tha se “ndryshoi diçka” tek ai dhe se ai ndien “shumë më fort” për besimin e tij.
“Ajo ndryshoi diçka në mua. Ndihem, ndihem edhe më i fortë. Unë besoj në Zot, por ndiej, ndiej shumë më fort për këtë. Diçka ndodhi” – tha presidenti amerikan