Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, tashmë ka emëruar një numër të madh njerëz të besuar të tij në poste të rëndësishme në administratën e ardhshme dhe një emër ka mbetur, deri më tani, jashtë kabinetit. Bëhet fjalë për Richard Grenell.
Pavarësisht nga njoftimet se ai mund të jetë edhe Sekretar amerikan i Shtetit, sipas një raporti të reuters, Grenell do të duhet të kënaqet me postin e të dërguarit special të SHBA-së për Iranin.
Raporti i reuters u nda nga vetë Trump në rrjetin social TruthSocial, duke thënë se “Grenell është një yll që do të marrë një pozicion të rëndësishëm”. Megjithatë, ai nuk ka konfirmuar drejtpërdrejt se Grenell do të emërohet në këtë post.
Grenell është një nga besnikët e presidentit të ri amerikan dhe në administratën e parë, ndër të tjera, ishte ambasador amerikan në Gjermani dhe i dërguari special për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Pikërisht për shkak të këtij angazhimi në Ballkan, emërimi i mundshëm i Grenellit në postin e Sekretarit amerikan të Shtetit, i cili më pas u plotësua nga Marco Rubio, ishte problematik për disa vende të Ballkanit, si Kosova dhe Bosnja e Hercegovina.
Grenell nuk i fsheh marrëdhëniet e mira me regjimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe me familjen e Donald Trumpit, konkretisht vajzën e tij, Ivanka dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner, një plan i diskutueshëm për investimet në pasuri të paluajtshme në Shqipëri dhe Serbi me vlerë miliarda dollarë.
Pavarësisht ambicieve të larta, por edhe lidhjeve me Ballkanin, Grenell do të shkojë drejt Lindjes së Mesme, pra Iranit, në vend të Evropës Jugperëndimore. Megjithatë, vlen të theksohet se, duke ditur qëndrimin e Trumpit ndaj Iranit, Grenell do të jetë shpesh në qendër të vëmendjes.