Në fushatë ai e ka konsideruar rivalen e tij politike si kandidaten më të korruptuar për Presidente. Madje Trump i ka shkuar edhe me tej kur ka thënë se çështja e emailit të saj privat është më e madhe sesa skandali i Watergate në vitet ’70.
Por tani me marrjen e detyrës së re, miliarderi ka lënë gjithçka pas. Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka vendosur të mos ndjekë asnjë hetim të mëtejshëm mbi çështjen e emaileve të Hillary Clinton, duke treguar kështu një shenjë të mirëfilltë paqeje.
Ndërsa më herët Donald Trump publikoi një videomesazh për 100 ditët e para të qeverisjes për të vendosur Amerikën të parën. Ai nuk përmendi ndërtimin e asnjë muri me Meksiken. Po ashtu nuk tha se do të dëbonte nga Amerika myslimanet.
Por propozimet e Trump u përqendruan në hapa konkretë dhe ndërmarrjen e veprimeve ekzekutive, duke shmangur nevojën për të kaluar në Kongresin Amerikan.
Masat e tij ishin gjithëpërfshirëse për punësimin, energjitikën, emigracionin , por edhe tregtinë. Me marrjen e drejtimit të zyrës ovale, ai ka vendosur që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të heqin dorë nga marrëveshja tregtare e partneritetit të Trans-Paqësorit.
“Axhenda ime si President do të mbështetet në një parim kyç: Amerika të vihet në plan të parë. Qoftë nëse flitet për prodhim çeliku apo makinash, ose për trajtim shëndetësor, dua që gjenerata e re e prodhimit dhe inovacioni të ndodhë këtu, në tokën tonë, duke krijuar kështu vende pune dhe bollëk për amerikanët. Pjesë e këtij plani është edhe synimi për tërheqjen nga partneriteti i trans-paqësorit, që është një katastrofë e mundshme për këtë Komb. Në vend të kësaj, do të negociojmë marrëdhënie tregtare të ndershme dypalëshe, të cilat do t’i kthejnë vendet e punës dhe industritë brenda kufijve amerikane”, u shpreh Donald Trump.
Një sondazh i CNN tregon se 53% e amerikaneve besojnë se ai do të bëjë diçka të mirë për vendin, ndërsa 44% nuk kanë të njëjtin besim tek Donald Trump. /Insajderi.com