Zyrtarët në Merilend dhe Uashington ngritën padi kundër presidentit amerikan, Donald Trump, për, siç thanë, pranim të pagesave nga qeveritë e huaja përmes perandorisë së tij të biznesit.
Paditë citojnë një nen të Kushtetutës, i cili thotë se asnjë zyrtar federal nuk duhet të pranojë dhuratë ose pagesë nga një qeveri e huaj.
Padia, e cila u ngrit nga prokurorët e përgjithshëm të Uashingtonit dhe Merilendit, Karl Racine and Brian Frosh, pretendon se Trump “është duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën”.
“Asnjëherë në historinë e këtij vendi nuk kemi pasur president me këtë lloj ngatërresash biznesore ose president që nuk pranon të distancohet në mënyrë adekuate nga pronat e tij”, tha prokurori Racine.
Shtëpia e Bardhë i mohoi pretendimet.
Prokurorët Racine dhe Frosh po përpiqen të nxjerrin një urdhër nga Gjykata e Qarkut në Merilend që do të ndalojë Trumpin të marrë pagesa qeveritare përtej pagës së tij.