Trump paralajmëron Iranin: Bëni marrëveshje bërthamore para se të mos mbetet asgjë, sulmet e ardhshme do jenë edhe më brutale - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Trump paralajmëron Iranin: Bëni marrëveshje bërthamore para se të mos mbetet asgjë, sulmet e ardhshme do jenë edhe më brutale

    Insajderi
    13 June 2025 - 12:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin që të pranojë një marrëveshje bërthamore sa më shpejt, përpara se të përballet me sulme edhe më të rënda dhe shkatërruese, raporton CNN, përcjell Insajderi.

    Në një postim të bërë herët të premten në rrjetin e tij social Truth Social, Trump tha se udhëheqësit iranianë “nuk e dinin çfarë po vinte – tani janë të gjithë të vdekur dhe do të bëhet edhe më keq”.

    “Ka pasur tashmë vdekje dhe shkatërrim të madh, por ende ka kohë për ta ndalur këtë masakër. Sulmet e ardhshme, të cilat tashmë janë planifikuar, do të jenë edhe më brutale,” shkroi Trump.

    “Irani duhet të arrijë një marrëveshje, përpara se të mos mbetet asgjë, dhe të shpëtojë atë që dikur njihej si Perandoria Iraniane.”

    Trump përmendi gjithashtu përpjekjet e mëhershme për të bindur Iranin në arritjen e një marrëveshjeje, por sipas tij, Teherani ka dështuar të përmbushë kërkesat, veçanërisht për shkak të këmbënguljes në të drejtën për pasurimin e uraniumit.

    “U thashë në mënyrën më të qartë të mundshme – thjesht bëjeni. Por ata nuk arritën kurrë ta përfundojnë. U paralajmërova se do të jetë shumë më keq sesa ç’kanë përjetuar ndonjëherë, se SHBA-ja prodhon armët më të fuqishme në botë dhe se Izraeli ka shumë prej tyre – e di si t’i përdorë, dhe ka edhe më shumë për të ardhur,” tha ai.

    Trump e përfundoi mesazhin e tij me thirrjen: “Mjaft më me vdekje dhe shkatërrim. Thjesht bëjeni, përpara se të jetë tepër vonë. Zoti ju bekoftë të gjithëve!”

    Ndërkohë, bisedimet për një marrëveshje të re bërthamore kanë hyrë në një fazë të ndërlikuar, me Iranin që këmbëngul në të drejtën e pasurimit të uraniumit – çështje që mbetet një pikë kyçe e mosmarrëveshjes me SHBA-në dhe aleatët e saj.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark