Presidenti amerikan, Donald Trump, në lidhje me pretendimet se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA ka theksuar se beson që Rusia dhe vendet e tjera “kanë futur hundët” në zgjedhje, por se “për këtë nuk ka siguri të saktë”.
Trump i cili ndodhet për një vizitë në Poloni në një deklaratë për gazetarët në lidhje me pretendimet rreth Rusisë është shprehur se “kanë ndërhyrë shumë persona.”
Duke vënë në dukje se Rusia dhe vendet e tjera mund të kenë ndërhyrë në zgjedhje, Donald Trump, ka theksuar se “Nuk mund të shpreh ndonjë gjë të saktë. Askush nuk është i sigurt nga kjo”.
Trump nuk ka bërë ndonjë deklaratë nëse do ta diskutojë apo jo këtë çështje me presidentin rus, Vladimir Putin, me të cilin do të takohet në Samitin G-20 që do të zhvillohet në Gjermani.
Presidenti amerikan ka akuzuar paraardhësin e tij, Barack Obama, se ka lejuar Rusinë të bëjë një gjë të tillë nga që ka menduar se zgjedhjet do t’i fitonte kandidatja e demokratëve, Hillary Clinton, raporton AA.
“Janë kryer gabime”, tha Trump duke rikujtuar se Agjencia Qendrore Amerikane e Inteligjencës (CIA) ka informuar muaj më parë përpara zgjedhjeve Obamën për aktivitetet piraterike.
Testimet nukleare të Koresë së Veriut
Pasi ka vënë në dukje se do të kenë pasojë testimet raketore të Koresë së Veriut, presidenti Trump i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kundërshtojnë “veprimet e këqija, por shumë të këqija” të këtij vendi.
Ndër të tjera Trump është shprehur se SHBA-të kanë menduar “gjëra shumë serioze” në kundërpërgjigje të testimeve raketore të Koresë së Veriut dhe se në lidhje me këtë çështje nuk vendos “vija të kuqe”.
“Është turpëruese që ata sillen në këtë mënyrë. Po veprojnë në mënyrë shumë, por shumë të rrezikshme, për këtë çështje duhet të bëhet diçka”, është shprehur presidenti amerikan, Donald Trump.