Jeffress ka shtuar se vendi, me “impeachment-in” e presidentit, mund të thyhet në mënyrë të pakthyeshme dhe se kurrë më nuk do ta merr veten.
Trumpi në një sërë tweet-esh të zemëruara ka shkruar se, si çdo shtetas amerikan, meriton të ballafaqohet me ata të cilët e akuzojnë, sidomos, siç ka pretenduar, sepse denoncuesi e ka prezantuar një bisedë të përkryer me liderin e jashtëm në mënyrë plotësisht “të pavërtetë dhe mashtruese”.
Ai ka shtuar se nuk dëshiron të takohet me denoncuesin “i cili i ka dhënë informata të dorës së dytë apo të tretë”, por as me personin “i cili në mënyrë të paligjshme i ka dhënë informata të pavërteta”.
“A e ka spiunuar ky person presidentin e SHBA? Kjo do të ketë pasoja të mëdha”, ka shkruar Trump.
Ai ka theksuar se dëshiron që kryesuesi i Këshillit për Punët e Inteligjencës të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Adam Schiff të hetohet në nivelin më të lartë për shkak të “mashtrimit dhe tradhtisë”.
Schiff ka deklaruar se Kongresi amerikan është i vendosur në qëllimin të ketë qasje në bisedat e Trumpit me presidentin rus Vladimir Putin dhe liderët tjerë botërorë dhe ka shtuar se Kongresi është i brengosur se ekziston mundësia që Trump ka cenuar sigurinë kombëtare të SHBA.
Pas informatës së denoncuesit anonim nga qarqet e inteligjencës, demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve e kanë nisur procedurën e shkarkimit.
Demokratët pretendojnë se Trump e ka keqpërdorë pozitën e tij dhe ka kërkuar nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky një shërbim politik – të hetojë afarizmin e djalit të kundër kandidatit të tij potencial nga radhët e demokratëve Joseph Biden në Ukrainë./Insajderi.com.