
Presidenti amerikan Donald Trump ka shkarkuar një ekip kopshtarësh që punonin në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, pasi u dëmtuan pllakat dekorative prej guri gëlqeror.
Në një postim në rrjetin e tij “Truth Social”, Trump bëri të ditur se kishte vënë re një çarje të madhe, rreth 23 metra të gjatë, në sipërfaqen e gurëve dekorativë.
Ai akuzoi kopshtarët për dëmtimin, duke pretenduar se ata kishin shkaktuar incidentin gjatë lëvizjes së një palete me makinë dore.
“Menjëherë fillova të bërtas: ‘Kush e bëri këtë, dua ta di tani!’”, shkroi Trump, duke shtuar se nuk e tha “në mënyrë të sjellshme”.
Madje, ai e cilësoi ngjarjen si një rast të “vandalizmit ose budallallëkut”.
Sipas Trump, përmes kamerave të sigurisë u identifikuan personat përgjegjës, të cilët, sipas tij me ironi, “ishin nën vëzhgimin e shefit të tyre me syze dielli”.
Ky episod përbën një tjetër shkarkim që i shtohet listës së gjatë të largimeve nga ekipi i Trump gjatë këtij viti.